E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, shtetasi grek aksidentin për vdekje një 46 vjeçar

Një aksident me pasoja në njerëz ndodhi mbrëmjen e djeshme në Gjirokastër. Rreth orës 19:30, në aksin rrugor kombëtar Gjirokastër-Kakavijë, përballë fshatit Jorgucat, një makinë me targa të huaja përfshiu në aksident një kalimtar, duke i marrë jetën. Policia shkoi në vendngjarje dhe konstatoi se Kozma Jorgo Portulidhi, 49- vjeçar, lindur dhe banues në Seron të Selanikut, Greqi, drejtonte automjetin tip Golf 2 me targa gjermane DO.PI.1357, kur ka aksidentuar për vdekje 46- vjeçarin Faslli Veizi, lindur në Çepunë dhe banues në qytetin Gjirokastër. Faslli Veizi ishte roje në fabrikën e prodhimit të bidonëve plastikë në Jorgucat dhe po dilte nga fabrika për të vajtur në fshat kur ndodhi ngjarja fatale. Në momentin e kalimit të rrugës automjeti e ka marrë përpara duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, treguan dëshmitarë në vendngjarje. Drejtuesi i automjetit shtetasi grek po udhëtonte për në drejtim të Greqisë dhe pasi ka bërë aksident nuk është larguar nga vendi i ngjarjes, konstatoi policia. Ai ka qëndruar në vend deri në mbërritjen e forcave të policisë, ku më pas është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Gjirokastër për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor tha se ka përcaktuar shkakun e aksidentit si prerje e rrugës nga këmbësori dhe mungesë ndriçimi në rrugë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›