Majko: 24 Marsi, bashkim i politikës
Data 24 mars e vitit 1999 ka shënuar për herë të parë bashkimin e politikës shqiptare në një qëndrim të vetëm. Kështu është shprehur për një media, deputeti i PS, Pandeli Majko. Deputeti Majko rrëfen për kohën kur ishte kryeministër i Shqipërisë në një periudhë të vështirë, siç ishte lufta e Kosovës. Majko shprehet se ishte kohë e vështirë për Shqipërinë jo vetëm në vitin 97, por edhe vitet më pas.
Sipas tij, duke qenë se politika shqiptare kishte qenë gjithnjë në përplasje, ajo shumë shpejt la pas retorikën e ditës dhe u përfshi në një qëndrim të përbashkët, nën sloganin Një komb, një qëndrim. Menjëherë pas masakrës së Recakut, politika u bashkua në një qëndrim të vetëm. 24 marsi, do të kujtohet jo thjesht si nisja e bombardimeve nga NATO në Serbi, por edhe se politikanët si rrallë herë bënë detyrën para kombit, u shpreh Majko. Ai rrëfen se 24 marsi shënoi nisjen pa kthim të një procesi të rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin. Sipas tij, kthetrat e Milloshevicit kishin lëshuar sakaq disa nga ish-republikat jugosllave dhe po mbanin dhunshëm Kosovën krahinën autonome. Majko rrëfen se pas përpjekjeve të veçuara të UCK-së dhe gjithë faktorit shqiptar, NATO merr vendimin sublim, dhjetë vjet më parë dhe Serbia bombardohet për tre muaj me radhë deri më 9 qershor 1999, kur në Bruksel arrihet marrëveshja dhe më pas forcat e NATO-s hyjnë në Kosovë.