Tritoli në banesën e shefit të Krimeve, gjenden prova të autorëve

Dëmet nga tritoli në shtëpinë e shefit të policisë
BURREL – Ende nuk ka autorë për tritolin e vendosur në banesën e shefit të Krimeve të Rënda Burrel, Sami Neli dhe as motive për ngjarjen kriminale. Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen e rëndë ka siguruar prova e dëshmi të shumta, madje pretendohet se ngjarja do të zbardhet e autorët shumë shpejt do të vihen në pranga. Edhe dje numri dy i Komisariatit të Matit ka deklaruar se është i sigurt se kërcënimi me lëndë plasëse vjen për shkak të detyrës që ai kryen. Neli nuk shprehet për mediat se ka pasur kërcënime apo telefonata, por ai dhe grupi hetimor mendon se arrestimet e kohëve të fundit janë shkaku kryesor i vendosjes së tritolit pranë banesës. Policia e Matit ka grumbulluar prova të shumta në vendin e ngjarjes, si çakmak, cigare, gjurmët e autorëve si dhe prova të tjera, të cilat mbahen sekret nga ana e ekspertëve. Sipas tyre, dërgimi në laboratorin kriminalistik do të sjellë të dhëna të tjera për autorët e ngjarjes. Megjithëse zyrtarët e Policisë lokale dhe asaj rajonale janë të rezervuar në prononcimet e tyre mediatike, mendohet se të afërm të personave të arrestuar gjatë këtij viti duhet të kenë ndërmarrë aktin e sulmit me lëndë shpërthyese pranë banesës së shefit të Krimeve të Rënda të Matit, Sami Neli. Dje pasdite grupi hetimor ka përpiluar të gjitha dokumentet që provat e gjetura të dërgohen në laboratorin e Ministrisë së Brendshme për ekspertizë të hollësishme. Thuhet se autorët kanë gjurmët e gishtërinjve mbi sendet e gjetura në vendin e ngjarjes. Nëse autorët janë të skeduar nga ana jonë dhe i kemi gjurmët e gishtërinjve, gjetja e autorëve është më e lehtë. Ndryshe do të gjejmë lidhjet e personave problematikë me personat e arrestuar dhe kështu do të vihen në pranga autorët e ngjarjes, thanë burime pranë grupit hetimor. h.p