Pesë jetimë në skamje: Na ndihmoni, pa bukë e veshje

Pesë fëmijët e familjes Myftari, të cilët bëjnë apel për ndihmë
ROSKOVEC/ Babai në burg pasi u vrau nënën. Prej 7 vitesh jetojnë vetëm.
Pesë fëmijë, jetimë e në skamje, japin alarmin SOS, pasi po përballen me vështirësitë më jetike, siç është ushqimi, veshja e shkollimi. Nëna e tyre, Lefteri Myftari, u vra me mjete të forta në vitin 2005 nga babai i fëmijëve, Fatmir Myftari. Ky i fundit po vuan dënimin prej 20 vitesh burg për krimin e rëndë që ndodhi brenda familjes, por fëmijët e tij ende të mitur kanë mbetur në mëshirë të fatit. Xhaxhai i tyre, Luani, baba i 6 fëmijëve, mundohet të ndajë ushqimin e të vegjëlve të tij me pesë jetimët e të vëllait. Por nuk ka bollëk për të gjithë. Në shkollën e fshatit Vlosh të Roskovecit shkojnë vetëm dy më të vegjlit. Ndërsa tre të tjerët, duke u ndier të turpëruar para shokëve për rrobat e grisura që mbajnë në trup, e kanë braktisur atë. Xhuliani 16 vjeç, Viktori 15 vjeç, Franceska 14 vjeçe, Maria 12 vjeçe dhe Najada 9 vjeçe bëjnë apel për ndihmë, pasi ndiejnë uri. Ata marrin vetëm 5 mijë lekë nga komuna si ndihmë, shumë e cila nuk mjafton për të plotësuar nevojat më jetike të tyre.
Banojnë në një shtëpi të ngritur me baltë e kallama, ndërsa kanë si pasuri të vetme vetëm dy divane të vjetruara, që i përdorin edhe për krevate. Muret janë plasaritur gjithandej dhe në ditë shiu gjithçka bie jashtë futet edhe brenda. Nuk blejnë rroba. Kanë vetëm disa veshje që mundohet tua sajojë xhaxhai i tyre, por edhe ai ndodhet në vështirësi financiare. Banorët e fshatit mundohen tu falin gjithashtu, por kjo nuk e lehtëson skamjen.
Po i mbaj prej 7 vitesh. Nuk po mundem dot. Jam me gjithë gruan pa punë. Kam edhe 6 fëmijët e mi dhe varfëria po na
mbyt. Shteti të çojë dorën në zemër dhe ti ndihmojë këta jetimë, u shpreh Luan Myftari. Edhe banorë të tjerë shprehen se shteti nuk duhet ti kishte lënë këta jetimë në mëshirë të fatit. Ata mbetën pa nënë e baba, kur më i madhi ishte 11 vjeç dhe më e vogla 2 vjeçe.
Jemi të varfër dhe skemi me se të jetojmë. Nëna na ka vdekur dhe babai është në burg. Unë dua të më ndihmojnë… të paktën të gjej një punë që të mbaj familjen, shprehet i përlotur Viktori, fëmija i dytë që është vetëm 15 vjeç. Kërkojmë ndihmën e shtetit. Nuk kemi me se të ushqehemi. Na vjen turp të shkojmë në shkollë, pasi moshatarët tanë janë të veshur mirë, kurse ne me rrecka. U detyruam ta braktisim shkollën se nuk kishim para për të blerë as rroba, as libra, as çantë. Kur na merr uria, nuk duam ta bezdisim nusen e xhaxhit, ndaj tregojmë përralla nga ato që mua më ka mësuar mami, shprehet më tej djali i madh i familjes, Xhuliani, i cili tashmë ka marrë rolin e kryefamiljarit, ndonëse është vetëm 16 vjeç.
Tragjedia familjare në 2005-n për xhelozi
Ngjarja që tronditi të gjithë fshatin Vlosh të Roskovecit, ndodhi gjatë natës së 19 gushtit 2005. Fatmir Myftari, asokohe 40 vjeç, vrau me mjete të forta gjatë natës bashkëshorten e tij, Lefteri Myftari, 35 vjeçe. Ngjarja u zbulua të nesërmen, pasi babai u tregoi fëmijëve krimin e rëndë që kishte ndodhur teksa ata flinin. Ai e kishte qëlluar të shoqen disa herë në kokë me mjete të forta. Ndërsa u gjetën gjurmë të dhunës edhe në qafë. Ngjarja ndodhi në dhomën bashkëshortore, ndërsa pesë të miturit flinin në dhomën tjetër. Policia mori në pyetje asokohe edhe dy fëmijët më të rritur, Viktorin e Xhulianin. Ata kanë rrëfyer se kishin hapur në mëngjes derën ku flinte e ëma, por babai që ishte shtrirë përdhe u kishte thënë se ajo kishte vdekur. Ata janë afruar dhe kanë parë nënën e tyre pa jetë e të përgjakur, ndërsa më pas kanë dhënë alarmin te të afërmit. Policia arrestoi menjëherë autorin. Pas hetimeve rezultoi se çifti kishte pasur konflikte të vazhdueshme për xhelozi, por edhe për shkak të varfërisë, faktorë të cilët kishin ndikuar edhe në kryerjen e krimi të rëndë. Pas disa seancave gjyqësore, gjykata e dënoi Fatmir Myftarin me 20 vite burg.
ROSKOVEC/ MAJLINDA RAMA