E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, lumë mbeturinash në plazh

Mbeturinat në bregdetin e Durresit

Reshjet dhe rrymat detare i transportuan nga grykëderdhja e Ishmit në qytet. Alarm ekologjik.

Plehrat urbane e industriale mbushin bregun deri tek “Iliria”

Pushtohet nga mbeturinat e gjithë vija bregdetare, nga Ura e Dajlanit deri në afërsi të pistës “Iliria” në Durrës. Situata bëhet më shqetësuese ku mes mbetjeve të shumta konstaton edhe mbeturina spitalore, mjaft të rrezikshme për jetën. Tonelata plehrash kanë gjetur strehë në pjesën më të frekuentuar të plazhit gjatë verës, si pasojë e rrymave detare. Mbeturinat që merr me vete lumi Ishëm, duke i derdhur në det, të ndihmuara nga shirat e dendur të ditëve të fundit, janë zbrazur në një sipërfaqe prej rreth 20 hektarësh. Rreth 3 mijë metra vijë bregdetare, që nis nga Ura e Dajlanit dhe përfundon në afërsi të pistës “Iliria”, prej ditësh është mbushur plot me plehra. Bidonë plastikë, kanoçe, qese, materiale ndërtimi dhe plehra të tjera thuajse kanë zaptuar të gjithë sipërfaqen e rërës, madje një pjesë e mirë e tyre kanë depërtuar deri në afërsi të pallateve. Origjina e këtyre mbetjeve mendohet se është lumi i Ishmit, i cili gjatë rrugës mbledh mbetje të tilla dhe më pas i shkarkon në det. Situata e pazakontë është shënuar gjatë fundjavës, kur pas reshjeve të dendura të shiut, qindra ton plehra të zbarkuara nga lumenjtë kanë dalë gjatë natës në bregdet, duke shënuar një prej rasteve flagrante të ndotjes. Bidonë kauçuku, kanoçe, qese, e deri tek shishet, kanë lundruar gjatë natës nga bregdeti i Ishmit drejt atij të Durrësit. Bregdeti i Ishmit nga ku erdhën edhe mbetjet e vuan prej vitesh këtë fenomen, pasi në këtë bregdet zbarkojnë me mijëra ton mbetje urbane që vijnë prej lumit të Lanës, Zezit dhe Ishmit. Ndonëse fundjavë, situata e rëndë ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat përgjegjëse, nga Ndërmarrja Komunale e Plazhit, që po merret me pastrimin e bregdetit e deri tek Inspektorati i Mjedisit, specialistët e të cilit verifikuan në terren situatën. Nga terreni inspektorët thanë se

Kamionët e ndërmarrjes komunale gjatë aksionit për pastrimin e plazhit të Durrësit

shirat dhe rrymat e forta detare kanë bërë që vija bregdetare prej më shumë se 2.8 kilometrash të pushtohet nga mbetje të shumta, duke dhënë alarmin e një ndotjeje masive. Një situatë aspak e zakontë, e cila jo vetëm rrezikon braktisjen e plazhit me të madh të qytetit, por e kthen atë dhe në ndotësin më potencial të bregdetit. Pas konstatimit të gjendjes është vënë në lëvizje e gjithë Ndërmarrja Komunale e Plazhit, e cila ka nisur punën në terren që prej orëve të para të mëngjesit të së dielës. Drejtues të Komunales së Plazhit tregojnë se janë mbi 120 tonë mbetje urbane që do të pastrohen. Dhjetëra kamionë transportuan mbetjet për në vendgrumbullimin e tyre në Porto Romano, ku dhe më pas do të bëhet edhe asgjësimi i tyre. Lumi Ishëm mbetet një nga lumenjtë më të ndotur në vend, për shkak të mbeturinave dhe mbetjeve industriale të cilat hidhen direkt e në të.

Ndotja
Në një gjatësi prej më shumë se dy kilometrash nga grykëderdhja e tij në detin Adriatik, i gjithë bregu i lumit dhe sipërfaqja e tij është e mbuluar nga mbeturina të shumta të cilat qëndrojnë aty prej kohësh. Është pothuajse e pamundur të dallosh ujin e lumit i cili rrjedh, për shkak se e gjithë sipërfaqja e ujit është e mbuluar nga materiale plastike. Ndotja e lartë e ka kthyer në një burim bakteresh dhe infeksionesh që shpesh kanë krijuar probleme shëndetësore për banorët.

VLORE: Sezoni, plazhi i vjetër i tejndotur

Plazhi i vjetër i Vlorës

VLORE – Edhe pse sezoni turistik është në prag, plazhi i vjetër në Vlorë është i tejndotur. Si kohë e çeljes zyrtare të sezonit turistik 2012 nga Bashkia është përcaktuar mesi i muajit maj, por  ndërkaq nuk është marrë asnjë masë paraprake për pastrimin e zonave turistike e plazheve të ndotura. Në plazhin e vjetër, një  sipërfaqe e konsiderueshme e saj është mbushur me lloj-lloj mbetjesh të hedhura nga banorët. Ndërkohë që këta të fundit akuzojnë për papërgjegjshmëri firmën e pastrimit. Në vendin ku Bashkia ka përcaktuar vendin për vendosjen e kazanëve të hedhjes së mbeturinave, ndodhen dy të tillë. Por ata janë bosh, të rrethuar nga mbetje të ndryshme. Askush nuk ka marrë mundimin t’i largojë, as firma e pastrimit që ka fituar tenderin dhe as ndërmarrja e shërbimeve komunale. Banorët shprehen të revoltuar për situatën e krijuar pranë banesave të tyre. Ata i kërkojnë Bashkisë të merren masa për largimin e mbeturinave, pasi kjo situatë vetëm sa largon turistët. “Firma e pastrimit nuk vjen në kohë për të marrë mbeturinat. Vonesa shkakton mbushjen e kazanëve dhe banorët janë të detyruar t’i hedhin jashtë tyre. Bashkia të marrë masa, pasi kjo situatë na penalizon. Kemi biznese që mbahen vetëm falë stinës së verës. Na penalizon shumë nëse ikin turistët nga pisllëku”, shprehen banorët. Punonjësit e pastrimit bëjnë fajtor për ndotjen banorët, të cilët sipas tyre nuk i hedhin mbeturinat në kazanë, por në tokë. Kjo shkakton ndotje dhe rrezik për epidemi, sidomos në stinën e verës.          q.b

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›