Gushi do grabiste te Rruga e Elbasanit, iku nga kamerat

Avokatja Vjollca Pustina, duke folur për Panorama
Vjollca Pustina, avokatja e Gushit rrëfen deklarimet e tij.
Avokatja: Leonora Kaloçi la çelësat në sportel dhe u përkul, ndaj e qëlloi.
…vijon nga numri i kaluar
Opinioni publik është krijuar sikur Viktor Gushi i urren gratë për shkak të divorcit të hershëm, por në fakt, pas arrestimit ai është rrëfyer pikërisht te femrat. Si prokurore e çështjes i takoi Lindita Ziguri. Si gjyqtare, Fida Osmani. Dhe si avokate, Vjollca Pustina. Dy të parat, thjesht i rastisën. Të tretën e zgjodhi vetë. Se si ndodhi që Pustina u bë mbrojtësja ligjore e Gushit e treguam në numrin e djeshëm të intervistës për gazetën Panorama. Rrëfimin e saj e ndalëm te deklarimet që ka dhënë Gushi lidhur me vrasjen e Rrapo Sinanajt për ta vijuar të plotë sot…
Është deklaruar nëpër media se Gushi e vrau argjendarin Rrapo Sinanaj për shkak se ai e njihte më parë, duke qenë se punonte si taksist dhe kishte udhëtuar disa herë me të. A është e vërtetë kjo?
Jo. Nuk ka asnjë të vërtetë në këtë deklarim dhe madje bie krejt ndesh me pohimet e tij publike. Ai ka deklaruar që nuk e ka njohur asnjëherë të ndjerin Rrapo Sinanaj. Për më tepër, Gushi nuk ka përdorur asnjëherë taksi, sa kohë ka qëndruar në Tiranë. As për krimet e tij dhe as në jetën e përditshme. Kishte hall se taksistët i mbanin mend klientët, ndaj u shmangej atyre. Sipas deklarimeve të Gushit, ai e ka qëlluar argjendarin se ai i ka bërë rezistencë dhe ka bërtitur aq shumë, saqë edhe në rrugë njerëzit kanë kthyer kokën. Me sa ka dëshmuar Gushi, Sinanaj ka qenë i pirë dhe ka refuzuar që ti japë bizhuteritë që gjendeshin në argjendari. Gushi i ka hedhur qesen në banak dhe i ka thënë që ta mbushte, por Sinanaj ka bërtitur, duke e sharë. Atëherë ai e ka qëlluar njëherë, duke e plagosur dhe ka bërë që të dalë me nxitim nga dera, por përsëri Sinanaj ka bërtitur. Gushi është kthyer për së dyti dhe e ka qëlluar sërish. Pavarësisht se Sinanaj është rrëzuar në dysheme, pas banakut, ka vijuar të bërtasë, por kësaj here aq shumë, saqë njerëzit në rrugë janë bërë kurioz për të parë. I nervozuar, Gushi është kthyer për së treti, duke i dhënë plumbin fatal. Atëherë pushoi njëherë e mirë, dëshmoi Gushi. Pra, teza se e njihte Sinanaj, ngaqë kishte punuar si shofer taksie dhe Gushi kishte udhëtuar me atë, hidhet poshtë. Sipas deklarimeve të tij, Gushi ka thënë: Kurrë nuk kam udhëtuar me autobus të linjës në Tiranë dhe kurrë nuk kam marrë taksi. Jo vetëm kur kryeja vjedhjet, por edhe në ditë të zakonshme. Vetëm kur kam kryer vjedhjen e bankës Raiffeisen në Fier, për herë të parë dhe të vetme kam udhëtuar me autobusin e linjës Fier-Tiranë. Ndërkaq, Gushi kishte një limit minutazhi të caktuar dhe nëse e tejkalonte atë, atëherë acarohej. Në rrethana të tilla, Gushi ose ka ikur, ose ka plagosur apo vrarë. Gjithnjë lëvizjet i ka bërë në këmbë, pasi më parë kishte studiuar vendin e krimit dhe çdo detaj tjetër.
Si i studionte Gushi vendet e krimit?

Viktor Gushi ne gjykate
Për ditë të tëra, 2-3 javë ai shkonte dhe ulej gjithnjë përballë objektit që do të vidhte. Sipas deklarimeve të tij, shikonte më vëmendje që nga vendndodhja e kamerave, drejtimin e shikimit të tyre, mënyrën se si hapej dhe mbyllej dera e objektit, rojet përreth, si dhe oraret e punës. Po ashtu, ai ka studiuar më vëmendje rrugët se si do të arratisej pas kryerjes së krimit. Sipas deklarimeve, ai synonte rrugë sa më të ngushta, ku të mos hynin dot makinat e policisë. Madje, edhe motorët e tyre të kishin vështirësi për të kaluar. Dhe po të shihni listën e vjedhjeve, ai ka zgjedhur pikërisht ato objekte ku pas tyre ka rrugë të ngushta.
Po arkëtaren Leonora Kaloçi pse e vrau?
Siç ju tregova, Gushi kishte një limit kohe prej maksimumi 3 minutash për vjedhje. E ndjera është çuar nga vendi dhe ka dashur që të kalojë përtej arkës, duke i lënë njëkohësisht edhe çelësat mbi banak. Ndërkaq, gjatë tentativës për të dalë që aty, ajo është përkulur paksa, çka e ka vënë në dyshime dhe panik Gushin, se ajo kishte shtypur butonin e alarmit.
E paqartë mbetet edhe plagosja e rojës së Bankës NBG, Skënder Elmazi. Ai ka dëshmuar për gazetën Panorama se synimi i Gushit ka qenë që ta vrasë që nga fillimi. E vërtetë?
Jo. Nuk ka shkuar me mendimin që ta vrasë, por vetëm ta plagosë. Pasi e ka qëlluar njëherë, ai pas disa sekondash ka lëvizur përsëri dhe duke e ditur që roja i sigurisë kishte një armë në brez, atëherë Gushin e ka zënë paniku dhe ka shtënë sërish mbi të. Po të kishte shkuar me paramendim që ta vriste, do ta kishte lënë të vdekur që nga fillimi. Jo vetëm në rastin e rojës së sigurisë, por në asnjë rast tjetër Gushi nuk ka dashur të vrasë.
A ju ka treguar Gushi arsyen e krimeve që ka pranuar?
Gjatë deklarimeve, ai ka pranuar se pas burgut që ka bërë në Greqi, është kthyer në vitin 2005 në Shqipëri, ku edhe është stabilizuar në një punë dhe ishte i kënaqur me pagën që merrte. Sipas tij, pas dënimit të parë që ka kryer në Shqipëri për vjedhje, është bërë pesimist për jetën. Nuk ka pasur dëshirë të punojë dhe ka gjetur formën e vjedhjes, kryesisht të bankave, dhe këtë e realizonte vetëm të premteve.
Po pse vidhte të premteve?
E kishte për shans. Madje, kur për herë të parë nuk vodhi të premten, ai u kap. Në mos gaboj, ka ndodhur ditë të mërkurë ngjarja e fundit.
Pse ndryshoi mendje për të vjedhur të premteve?
Ai në fakt kishte piketuar një bankë tjetër, sërish NBG, atë që ndodhet te Rruga e Elbasanit. E kishte studiuar prej disa kohësh, por teksa po i vinte dita e premte, vuri re që banka shtoi kamerat e sigurisë. Po ashtu, ishin vënë dhe kamera shtesë te kryqëzimi i madh i rrugës, si dhe disa të tjera anash nga subjektet private. Sipas deklarimeve të tij, ai e la këtë vjedhje, për shkak të ekspozimit të mundshëm në të katër anët dhe që andej doli të studionte filialin tjetër, atë të zonës së Xhamllikut.
Mendoni se ai ka pasur ndonjë bashkëpunëtor?
Kjo është një pyetje që i është bërë shpesh, por që vetë Gushi u ka thënë ekspertëve të hetimit: Merrni dhe shihni kamerat nëpër Tiranë. Unë do tjua them me saktësi ku kam qenë në ditët e krimeve, orën dhe vendin, ku kam kaluar. Në të gjitha rastet nuk do të më gjeni kurrë me asnjeri. Siç ka deklaruar ai, gjithnjë rrinte vetëm dhe pinte i vetëm. Ashtu jetonte edhe në banesë.
Po lidhje me ndonjë femër nuk ka pasur gjatë këtyre viteve që ka jetuar në Tiranë?
Ai ka deklaruar që jo. Nuk ka pasur asnjë lidhje. Femrat e vetme të tij kanë qenë takime me orë, për kënaqësi vetjake, të cilat edhe i ka paguar sipas çmimit që kanë rënë dakord që në fillim.
Si avokatja e tij, si janë sjellë forcat e rendit dhe ekspertët e hetimit me Gushin?
Shumë korrektë, duke përjashtuar rastin që është filmuar në banesë, filmim i cili u bë publik në televizione.
A ka pasur shkelje procedur