Arrestohet miku i Shullazit, fshehu provat e atentatit

Pajtim Serjani, miku i Shullazit
TIRANE – Miku i Emiljano Shullazit, i cili i shpëtoi një atentati mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, është vënë në pranga dy ditë pas ngjarjes, pasi akuzohet për fshehjen e provave dhe pengim të hetimeve në lidhje me ngjarjen. Pajtim Serjani u arrestua në ambientet e banesës së tij, që ndodhet në afërsi të ish-Parkut të Autobusëve, pranë banesave të Emiljano Shullazit e Gilmando Danit, të cilët aktualisht ndodhet në burg. Burime nga Policia thanë se Serjani është arrestuar menjëherë pasi është sekuestruar automjeti i tij tip “Passat”, i cili është gjetur në një servis, ku po tentohej fshehja e gjurmëve të krimit, dy vrima të shkaktuara nga plumbat. Sipas Policisë, fillimisht 30-vjeçari Serjani u shoqërua për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes, ndërsa pas konsultimit me prokurorin u vendos prangosja e tij për moskallëzim krimi, fshehje provash dhe pengim të hetimeve. Gjatë procedurës së marrjes në pyetje, Serjani ka shpjeguar se Emiljano Shullazin e ka njohur vetëm për faktin se banojnë në të njëjtën lagje. Sipas tij, askush nuk mund të ketë ndonjë motiv për ta vrarë. Në këtë mënyrë, Pajtim Serjani i ka qëndruar “besnik” pohimeve të tij disa orë pas ngjarjes, kur shprehej se plumbat nuk ishin për të, por është qëlluar në ajër. Për këtë arsye ai nuk ka pranuar të bëjë denoncim për ngjarjen edhe pse pranë vendit ku ishte parkuar makina e tij, në rrugën “Tre Dëshmorët” në Yzberisht, u gjetën 5 gëzhoja arme zjarri. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar drejt makinës tip “Passat”, në TV cilën ndodhej Pajtim Serjani, mbrëmjen e së enjtes, kur ai po parkonte mjetin në rrugën “Tre Dëshmorët”, në Yzberisht. Nga plumbat që janë shkrepur në drejtim të tij, vetëm dy prej tyre kanë goditur makinën, por vetë Pajtim Serjani i ka shpëtuar plagosjes. Policia është lajmëruar për ngjarjen nga banorët e zonës, pranë bllokut të pallateve “Dilo”, ku janë dëgjuar të shtënat e armës. Ndërsa fillimisht ka nisur procedim penal vetëm prishje të qetësisë publike dhe armëmbajtje pa leje, për shkak se janë gjetur 5 gëzhoja në vendin e ngjarjes. Pas verifikimeve ka rezultuar se të shtënat nuk kanë qenë në ajër, por drejt një makinë tip “Passat”, në pronësi të Pajtim Serjanit, i njohur si një prej miqve të Emiljano Shullazit, i dënuar disa herë nga Drejtësia shqiptare, që edhe aktualisht ndodhet në burg. Për këtë arsye, oficerët e Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë nisur një hetim për “vrasje të mbetur në tentativë” ndaj Pajtim Serjanit.
Dëshmia e Serjanit
“Emiljano Shullazin e kam shok lagjeje. Banojmë në të njëjtën zonë dhe shtëpitë i kemi shumë afër. Nuk i di problemet që ai ka me policinë dhe nuk ka askush asnjë arsye për të kërkuar ekzekutimin tim, pasi unë vetë nuk jam përfshirë në ndonjë incident. Të enjten është qëlluar në ajër, jo ndaj meje, dhe për këtë arsye nuk kam pasur asnjë motiv për ta denoncuar ngjarjen dhe nuk dua ta denoncoj”. Kjo është një pjesë e deklarimit që Pajtim Serjani ka dhënë në Policinë e Tiranës pas arrestimit.