E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimi i toksikologjisë me mungesa ilaçesh

Në shërbimin e toksikologjisë në spitalin e Fierit mungojnë medikamentet, po në mënyrë të veçantë baza materiale për të sjellë në jetë të helmuarit. Në shumicën e rasteve nuk ka barna të nevojshme për kryerjen e procesit të dezintoksikimit edhe për shkak të mosgjetjes së antidotës së kërkuar.

Fakti i mungesës së bazës materiale dhe i medikamenteve specifike vihet në dukje edhe nga mjeku Kilo Stoja. Sipas tij, prej më shumë se tre vjetësh reparti toksik nuk ka njohur furnizim me këto specifika. Në pavijonin e patologjisë dhe pikërisht në departamentin toksik mungon antidota specifike, si dhe reagjentët për laboratorin toksik.

"Tre vitet e fundit nuk është folur për këta "aksesorë" të rëndësishëm. Duhet pranuar se me gjithë ndërhyrjen e bluzave të bardha në mënyrë të menjëhershme dhe profesionale, shumë nga rastet e vetëhelmimeve që kanë mbërritur në spital kanë gjetur vdekjen, vetëm nga mungesa e antidodës specifike, si dhe e reagjentëve laboratorikë toksikë. Ne përdorim lavazh, serum, por jemi në krizë dhe në mungesë të plotë të medikamenteve të sipërcituara", sqaroi mjeku. Mjeku Kilo Stoja, duke falënderuar bluzat e bardha të spitalit të Fierit, të cilat kanë ndërhyrë së bashku me të për të shpëtuar të helmuarit me lëndë toksike apo pesticide të ndryshme i bënë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e bazës materiale dhe të medikamenteve që mungojnë. "Ministria e Shëndetësisë duhet të ndërhyjë në mënyrë urgjente për sigurimin e gjithçkaje që mungon. Në rast të një mungese të tillë edhe ne kthehemi si autor të shkaktimit të vdekjes së të helmuarit", ka thënë Stoja. Duke risjellë rastet e shumta të vetëhelmimeve për vitin 2008, që kapin shifrën e më shumë se 100 të tillëve, mjeku Stoja ka thënë se krahas luftës kundër shitjes së lëndëve toksike në mënyrë të pakontrolluar, duhet që edhe bluzat e bardha të kenë në dispozicion të mjekimit të një pacienti medikamentin dhe bazën materiale të nevojshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›