E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, taksistët refuzojnë taksën e shërbimit

Taksistët në Gjirokastër refuzojnë të paguajnë taksën vjetore të shërbimit pas vlerës së shtuar nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës. Kërcënimi vjen nga vetë ata, të cilët janë shprehur se nuk janë dakord të paguajnë taksën e re të vendosur nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës. Sipas tyre, shtimi i tarifave me rreth 6 mijë lekë të rinj në vit, është i pajustifikueshëm dhe i paarsyeshëm, për shkak të problemeve të shumta që shqetësojnë këtë shërbim dhe që lidhen kryesisht me konkurrencën e pandershme në tregun e sotëm të shërbimit taksi. Mjaft prej tyre i janë drejtuar organeve drejtuese të Zyrës së Shërbimeve në Bashkinë e Gjirokastrës për të riparë edhe një herë propozimin e bërë nga ana e shoqatës së taksistëve për uljen e taksës vjetore. Si masën më ekstreme për mos marrjen parasysh të kërkesave të tyre nga pushteti vendor, taksistët kanë kërcënuar se do të dorëzojnë licencat taksi si dhe targat e verdha. Shpeshherë taksistët kanë shprehur shqetësime të vazhdueshme në lidhje me aktivitetin e tyre të përditshëm, por që nuk kanë marrë zgjidhje nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës ndonëse kjo e fundit përherë ka premtuar për realizimin e kërkesave të tyre. Në Gjirokastër sot operojnë mbi 50 automjete taksi si dhe tre furgonë taksi. Konkurrenca e pandershme nga ana e individëve të veçantë është kthyer në një problematikë për punonjësit e shërbimit taksi në Gjirokastër e më gjerë.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›