"Me zjarr ju flas, me zjarr...", me krijimtarinë e Lasgush Poradecit
Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, një ceremonie veçantë do të zhvillohet sot për poetin Lasgush Poradeci. Familja Poradeci dhe Shtëpia Botuese Argeta-LMG organizojnë aktivitetin "Me zjarr ju flas, me zjarr...", në kuadër të vitit "Lasgush Poradeci". Kjo është veprimtaria e parë për Lasgushin, që shënon përvjetorin e 110-të të lindjes. Po sot do të prezantohet dhe botimi për herë të parë i studimit të Poradecit mbi Emineskun.
Doktoratura, mbi poetin rumun e mbrojtur në Universitetin e Gracit, Austri, e zbuluar disa vite më parë nga familjarët, tani merr version zyrtar duke u financuar nga ministria. Po sot do të zhvillohet dhe aktiviteti 100 vjet Indro Montanelli, e cila është cilësuar veprimtaria më e rëndësishme gjatë kësaj dite, në kuadër të celebrimit të Ditës Botërore të Librit. Në prani të shumë personaliteteve shqiptare, është ftuar të marrë pjesë edhe historiani, gazetari Sandro Gerbi, i cili do të mbajë një konferencë speciale për aktivitetin e shkrimtarit Indro Montanelli. Veç kësaj, në Bibliotekën Kombëtare do të realizohet edhe një paraqitje në trajtën e një ekspozite nga vepra e këtij autori, Monatanelli, i cili është përzgjedhur si përfaqësues i kësaj dite. Shqipëria një dhe një mijë, është libri i cili pritet të promovohet sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit.