Brazil i frikshëm, pa probleme në 1/8-at
Brazili konfirmohet një nga pretendentët kryesor për titullin kampion bote, duke mundur me rezultatin 3-1 Bregun e Fildishtë, një nga Kombëtaret më të forta të kontinentit afrikan. Një fitore që i siguron Seleçaos një biletë për në 1/8-at një ndeshje para se të përfundojë faza në grupe. Aspak keq, duke marrë parasysh që e bënë një gjë të tillë pikërisht në grupin G, i cili është cilësuar si “grupi i ferrit”. Skuadra e Dungës u duk e ngadaltë në fushën e lojës, por tregoi se është e pakalueshme në mbrojtje, e ekuilibruar dhe me shkëlqim, duke parë lojën e futbollistëve si Elano, Robinjo, Kaka e Luis Fabiano. Një skuadër që nuk pritet të dhurojë shumë surpriza, ose më saktë, ai që synon të triumfojë në Afrikën e Jugut, duhet të marrë masat për t’u përballur më parë me brazilianët. Bregu i Fildishtë u mundua të duket i barabartë me kundërshtarin. Për 25 minutat e para, skuadra e Eriksonit arriti të paraqitet më mirë se në ndeshjen ndaj Portugalisë. U mundua të vjedhë iniciativën e rivalëve për të shënuar dhe për të bërë rezistencë në mbrojtje. Por, pas golit të shënuar nga Luis Fabiano, ata u shpërfytyruan taktikisht. Ishte Kaka ai që bëri gjithçka për t’i dhuruar sulmuesit golin e avantazhit. Pesë herë kampionët e botës shkuan në dhomat e zhveshjes në avantazhin e një goli. Në pjesën e dytë ishte sërish maturia dhe finesa e brazilianëve që bëri diferencën. Në minutën e 50-të, Luis Fabiano kaloi bukur kundërshtarët, duke prekur madje edhe dy herë topin me dorë dhe më pas duke dyfishuar rezultatin. Arbitri Lanoj nuk e cilësoi si të parregullt aksionin dhe rezultati shkoi në 2-0. 12 minuta më pas, një tjetër magji i Kakasë dhe një asist i tij bëri që Elano të shënojë edhe të tretin. Pasi kishin pësuar tre gola, krenaria e lojtarëve të Bregut të Fildishtë u finalizua me një gol, i shënuar nga ylli i tyre Didier Drogba. Fundi i ndeshjes nuk ishte aq spektakolar sa meritonte. Kaka mori dy herë karton të verdhë brenda tri minutash, duke dalë nga fusha me karton të kuq. Në fillim, pasi reagoi me nervozizëm ndaj ndërhyrjeve shumë të ashpra të kundërshtarëve, ndërsa herën e dytë doli pa arsye. Një simulim i Keitas bëri që ylli i Brazilit të ndëshkohet dhe të humbasë të drejtën për të luajtur kundër Portugalisë. Gjithsesi, “seleçao” do shkojë e qetë, pasi në xhep ka biletën e 1/8-ve.
Brazil-Bregu i Fildishtë 3-1
Golat: Luis Fabiano 25’, 50’, Elano 62’ / Drogba 79’
Brazili (4-2-3-1): H.Sezar, Huan, Lusio, Maikon, Bastos, Xhilberto, Felipe Melo, Kaka, Elano (D.Alvesh 67’), Robinjo (Ramirez 90’), Luis Fabiano
Trajner: Karlos Dunga
Bregu i Fildishtë (4-3-3): Barri, Eboue (Romariç 72’), Kolo Ture, Demel, Tiene, Zokora, Jaja Ture, Tiote, Dindane (Gervinjo 54’), Drogba, Kalu (Keita 68’).
Trajner: Sven-Goran Erikson
Kartonë të verdhë: Tiene, Keita, Tiote
Karton i kuq: Kaka 88’
Arbitër: Stefan Lanoj
Spektatorë: 84,455
Brazil Statistika B.Fildishtë
12 GJUAJTJE 10
6 GJUAJTJE Në PORTë 4
3 GOLA 1
17 FAULLE Të SHKAKTUAR 23
23 FAULLE Të PëSUAR 17
4 GODITJE KëNDI 3
23 GODITJE DëNIMI 10
0 PENALLTI 0
0 JASHTë LOJE 2
0 KARTONë Të VERDHë 3
1 KARTONë Të KUQ 0
34 KOHë FIKTIVE/LOJë 27
56% MBAJTJE E TOPIT (%) 44%
Ndeshjet
21/06/2010
Portugali-Kore e Veriut
13:30
25/06/2010
Kore e Veriut-Bregu i F. 16:00
Portugali-Brazil 16:00