E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, vodhën dhe grabitën minoritarët, arrestohen dy autorët

 

GJIROKASTER - Policia arreston dy autorët e grabitjeve me dhunë të ndodhur në fshatin Sofratikë në Gjirokastër tri ditë me parë. Artan Rama, 18 vjeç, nga fshati Memaliaj është vënë në pranga mesditën e djeshme nga ana e Policisë së Gjirokastrës pas tentativës për t'u larguar në rrjedhën e lumit Vjosë. Aksioni i kapjes së Ramës nisi që prej pasdites së të mërkurës në qytetin e Tepelenës, kur uniformat blu u vënë në ndjekje të tij. Sapo ka parë policët t'i afroheshin ka vrapuar drejt lumit ku dhe është hedhur në rrjedhën e tij. Gati për dy orë, ndjekja e grabitësit ka qenë e pamundur dhe për pasojë është dashur një grup policësh të tjerë nga Gjirokastra që të prangosnin Ramën. Fill pas kapjes së Ramës dhe deponimit të tij fillestar, operacioni i kapjes së keqbërësve ka vazhduar me kapjen e autorit të dytë të grabitjes së banesës së Spiro Nastos, mbrëmjen e së hënës në fshatin Sofratikë. Në fshatin Mamaj të Tepelenës policia ka kapur 16-vjeçarin Kristo Ruçi, i cili mendohet të ketë qenë shoqërues në rrëmbimin e 30 mijë lekëve dhe 50 eurove në Sofratikë. Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar dy thika, një kapuç i përdorur për maskim, si dhe një palë dorashka me të cilat është kryer vepra penale. Gjithashtu nga puna intensive hetimore u arrit të dokumentoheshin me prova ligjore edhe disa grabitje të tjera të kryera gjatë vitit të kaluar në zonën e Dropullit të Poshtëm. Sipas të dhënave zyrtare, Artan Rama rezulton të jetë autor edhe i tre grabitjeve të tjera të ndodhura në fshatrat e kësaj zone. Më 23 gusht të vitit të kaluar, Rama ka grabitur me thyerje nën kërcënimin e thikës dhe i maskuar, një shumë prej 14 mijë euro në banesën e shtetasit J. Kuçoi në fshatin Dhuvjan të rrethit Gjirokastër. Në bashkëpunim me djalin e xhaxhait të tij Sokol Rama, 23 vjeç, më 11 tetor të vitit të kaluar, ka grabitur me dhunë nën kërcënimin e thikës një sasi prej 800 eurosh dhe 15 mijë lekësh në banesën e një shtetasi në Sofratikë. Në po të njëjtën ditë, kushërinjtë grabitës kanë vjedhur me thyerje një tjetër banesë në Derviçian.                                    p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›