E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau dy shokët, kërkohet burg përjetë

 

SHKODER - Qëlloi dy shokët, kërkohet burg i përjetshëm për 31-vjeçarin Ardian Narkaj. Prokuroria e Shkodrës kërkoi dje që i akuzuari të qëndrojë në burg përgjithmonë. Në bankën e të akuzuarve janë dhe Gjekë Narkaj e Ilir Therçaj, për veprat penale të pengimit në zbardhjen e çështjes dhe armëmbajtjes pa leje. Prokurorja Edlira Cufi kërkoi shpalljen fajtor të Narkajt, i cili në rrethana ende të paqarta, por për motive të dobëta ka vrarë 2 persona, e pikërisht Ton Ulajn, 28 vjeç dhe Gjergj Shotajn, 24 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 7 majit të vitit 2008 në fshatin Bratosh të Malësisë së Madhe. Dy të rinjtë u qëlluan me breshëri arme zjarri, duke vdekur në vend, ndërsa i plagosur ngeli Ardian Narkaj. I mbijetuari ishte dëshmitari kyç i ngjarjes, i cili më vonë rezultoi të ishte dhe autori i krimit të dyfishtë. Nga hetimet e kryera rezultoi se Narkaj dhe dy viktimat, natën e ngjarjes, kanë qenë duke pirë në një lokal. Kur kanë dalë jashtë janë dëgjuar breshëri armësh, çka e bëri policinë të dyshonte se mes tyre kishte pasur shkëmbim zjarri. Për policinë, krimi mund të ketë ndodhur pas një konflikti të çastit, pasi të rinjtë lanë lokalin e fshatit dhe ishin nisur për në shtëpitë e tyre. Gjatë kontrollit të ushtruar në atë kohë, në banesën e Ardian Narkajt u gjet dhe arma me të cilën ishte kryer krimi.                                       r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›