Levë gruas pas koke, helmohet
FIER/ MAJLINDA RAMA
Qëllon gruan me levë pas koke e më pas i penduar vetëflijohet me fostoksinë. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në Fier pas një konflikti të ashpër ndërmjet bashkëshortëve Aristotel dhe Vasilika Gjoni. Sipas policisë, 45-vjeçari pas një debati të ashpër me gruan, me të cilën jetonte i ndarë prej 2 vitesh, (ndonëse nuk ishin divorcuar ligjërisht), e ka qëlluar këtë të fundit dy herë me levë pas kokës. Nëna e dy fëmijëve ka rënë në oborrin e shtëpisë pa ndjenja. Kur ka parë se 37-vjeçarja nuk po jepte shenja jete, në kushtet e një depresioni të rëndë, Gjoni vendosi të vetëflijohet. Ngjarja duket se ka tronditur shumë ndërgjegjen e tij, i cili kishte menduar se bashkëshortja kishte vdekur. Në një situatë të tillë, Gjoni tentoi fillimisht të hedhë veten në erë me anë të dy granatave që ai i mbante në shtëpi. Por me sa duket, municionet ishin jashtë kushteve teknike, pasi ai nuk ka mundur të shpërthejë asnjërën prej tyre. Tentativa e dështuar për të hedhur veten në erë e ka shtyrë më pas 45-vjeçarin drejt një rruge tjetër për t'i dhënë fund jetës së tij. Ai është drejtuar për në qilarin e shtëpisë, ku mbante pesticide dhe prej aty ka konsumuar tri kokrra fostoksinë. Pas kësaj ngjarjeje që ndodhi brenda pak minutash, fqinjët e familjes Gjoni i janë drejtuar shtëpisë nga e cila kishin dëgjuar britmat. Sapo kanë hapur portën e shtëpisë, ata janë ndodhur para një pamje tragjike. Burrë e grua ishin të shtrirë përtokë, afër njëri-tjetrit. Sipas fqinjëve, gruaja nuk jepte shenja jete, ndërsa bashkëshorti i saj belbëzonte fjalë të pakuptimta për ta. Të ndodhur para kësaj situate, fqinjët i kanë çuar të dy në spitalin e Fierit, ndërsa më pas u sinjalizua edhe policia. Mjekët e Fierit bënë të ditur se me gjithë përpjekjet dhe lavazhet që i kryen 45-vjeçarit për t'i shpëtuar jetën, ai vdiq rreth 25 minuta pas mbërritjes në spital. Sipas tyre, gjendja është e rëndë edhe për gruan që ishte qëlluar barbarisht pas koke me levë. Por bluzat e bardha konfirmuan se pas ndihmës së parë, ajo e ka kaluar rrezikun për jetën, ndërsa në orët e mbasdites është përmendur disi. Mësohet se 37-vjeçarja ende nuk e kishte mësuar lajmin për humbjen e bashkëshortit të saj. Nëna e dy fëmijëve po i nënshtrohet një terapie intensive deri në përmirësimin e gjendjes së saj. Sipas policisë, ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në lagjen "Sheq i Madh", e cila ndodhet rreth dy kilometra larg qendrës së Fierit. Burime të policisë thanë se pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe ekzaminimit të të gjitha provave të grumbulluara, rezultoi se gruaja kishte marrë dy goditje të forta me hekur pas koke. Policia nuk bëri të ditur shkaqet e kësaj ngjarjeje, pasi pritet që të merret dëshmia e plotë e të mbijetuarës. Por fqinjët e viktimave deponuan se ata kishin dëgjuar herë pas here konfliktet e tyre, edhe pas ndarjes. Madje, ata pohuan se debati ndërmjet tyre kishte nisur që në orët e para të mëngjesit. Si gruaja dhe burri jetonin në kushte të vështira ekonomike dhe ndanin si pronësi të njëjtën sipërfaqe toke, duke dyshuar se ky ishte dhe shkaku i nisjes së konfliktit. Policia bëri të ditur se po heton ngjarjen, ndërsa paraprakisht dyshohet se viktima ta ketë kryer aktin e vetëflijimit në kushtet e një depresioni të rëndë.