E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, vodhi 50 varëse floriri, kapet 29-vjeçari

Policia e Gjirokastrës ka bërë të mundur arrestimin e autorit të vjedhjes së një dyqani që tregtonte flori, si edhe të sekuestrojnë në cilësinë e provës materiale një sasi të mallit të vjedhur.
Sipas policisë në pranga ka rënë 29-vjeçari Altin Mici, lindur dhe banues në qytetin e Shkodrës.

Kapja dhe ndalimi i tij u bë për arsye se në datën 26 shkurt, në lagjen “18 Shtatori” të qytetit Gjirokastër, në një dyqan argjendarie, ai ka vjedhur rreth 50 varëse floriri. Pasi është futur në dyqan si klient, i paarmatosur dhe i pamaskuar, ai i ka kërkuar të zotit të dyqanit të shikonte disa varëse pasi do blinte njërën prej tyre, ndërsa ky i ka treguar një xhepore ku mbante rreth 50 të tilla.

Mici, pasi ka parë varëset, e ka marrë xheporen me gjithë varëset dhe është larguar me vrap e disa metra më tutje, ka hipur në një motoçikletë të cilën e kishte lënë të ndezur dhe nga mbrapa kishte vendosur një kosh rrobash, ku dhe ka hedhur sendet e vjedhura.

Nga veprimet hetimore u bë e mundur që pas disa ditësh të gjendej motoçikleta e braktisur në një kodër në qytetin e Gjirokastrës si dhe identifikimi i autorit.

Rezultoi se Altin Mici ne bashkëpunim me një shtetas tjetër i cili është shpallur në kërkim, janë autorët e vjedhjes së dyqanit të argjendarisë.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi e mallit të vjedhur, pasi pjesën tjetër autori e kishte shitur në një argjendari në Shkodër .

Materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për veprën penale të “Vjedhjes kryer në bashkëpunim”, vepër kjo e parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›