E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrabanda “shpërblehej” me 4 milionë euro

16/03/2011  Dy kompanitë kanë mashtruar jo vetëm qytetarët, por dhe shtetin që i ka subvencionuar për eksportin

Thellohet skandali i naftës, “Fisheku” dhe “Euroil” përfitime astronomike të dyfishta

TIRANE-Eksportuesit e naftës virgine kanë mundur të fitojnë miliona euro falë mashtrimit të dyfishte që ata i kryenin konsumatorëve dhe vetë shtetit. Dy kompanitë “Fisheku” sh.a dhe “Euro-il” sh.a, nëpërmjet një skeme mashtrimi tepër të organizuar kanë arritur të tërheqin në mënyrë të padrejtë plot 4 milionë euro nga buxheti i shtetit. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë njësisë antikorrupsion, të cilat thanë se kompanitë e sipërcituara kanë fituar nëpërmjet subvencionit nga 2 milionë euro në vit. Këto para ishin një përfitim i dytë që merrej në dorë (kesh), veç përfitimit tepër të majmë që dilte nga procesi i përzierjes së naftës virgine dhe tregtimin e saj me çmimin 130 lekë të vjetra litri. Sipas burimeve të Prokurorisë, dy kompanitë private janë rimbursuar nga shteti me rreth 4 milionë euro TVSH për eksportin e llumit, pra verginë-s, eksport i cili në fakt nuk është kryer kurrë. Mashtrimi tregon nivelin e lartë të korrupsionit në administratën e Drejtorisë së Doganave, por dhe të Tatim-Taksave, të cilat kanë për detyrë të monitorojnë me mjaft përgjegjësi çdo produkt që eksportohet dhe tregtohet brenda territorit të vendit. Mirëpo në këtë rast një gjë e tillë jo vetëm që nuk ka ndodhur, por skandali është thelluar akoma dhe më tej, duke i vjedhur shtetit dhe një shumë të majme financiare. Lidhur me këtë veprimtari kriminale, Prokuroria e Tiranës është duke verifikuar dokumente me qëllim zbardhjen e plotë të skemës mashtruese. Dy kompanitë e lartpërmendura gjatë viteve 2007-2009 kanë blerë në kompanitë shtetërore “ARMO” sasi të konsiderueshme nafte të llojit virgine, me pretekstin se këto sasi do eksportoheshin jashtë shtetit. Mirëpo pavarësisht se çfarë deklarohej dhe çshkruhej në dokumentet doganore, një gjë e tillë nuk ndodhte kurrë, pasi e gjithë sasia e naftës shpërndahej në pikat e karburantit ku tregtohej tek konsumatori. Fitimi ishte tepër i lartë, pasi kompanitë e blinin litrin e naftës virgine tek ARMO me 50 lekë të vjetra dhe e tregtonin atë me 130 lekë litri.

Menaxheri në kërkim

Arrestimet dhe hetimet për kontrabandën e naftës virgin nuk kanë mbaruar ende. Të paktën kështu kanë deklaruar burimet pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilët sqarojnë se menaxheri i kompanisë “Euro-il”, Bledar Rama, është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe se informacionet tregojnë se ai strehohet në një nga shtetet fqinje.

Nën hetim ish-drejtorët

Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës deklaron se mund të ngrejë akuzë për shpërdorim detyre për drejtuesit dhe ish-drejtuesit e tatimeve dhe doganave, ndërsa po shikohet roli i Ministrisë së Ekonomisë në këtë proces, i cili sipas prokurorëve duhet monitoruar dhe investiguar me të gjitha mjetet që disponon Prokuroria shqiptare.

Strukturat policore

Akuza pohon se hetimet do të shtrihen edhe ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët megjithëse kanë pasur shpesh herë informata nuk kanë vepruar për të ndaluar marshimin e autoboteve nga Ballshi në Durrës. Prokurorët shprehen se ka të dhëna se disa segmente policore kanë qëndruar indiferente ndaj denoncimeve të kontrabandës së naftës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›