Hapja e puseve në Tiranë ndot ujrat nëntokësore
Tendenca e hapjes së puseve publike dhe private, në zonën ujëmbajtëse të qarkut të Tiranës ka dëmtuar ujrat nëntokësore, duke ndikuar në rritjen e shkallës së rrezikshmërisë së ndotjes së tyre. "Zaptimi i zonave të sigurisë së pus-shpimeve ekzistues sjellë pasoja të rënda dhe të pakorrigjueshme, nëse nuk ndërhyhet në kohë", bëri të ditur drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, Mhill Gecaj.
Sipas tij, shenjat e para tashmë janë dhënë në pusshpimet nr.1, nr.2 dhe nr.3, tek Pishinat, Kroi Shëngjinit, (në periferi të ish-fushës së Aviacionit) stacionet e Bukës, Çokollatës dhe Pemës, që janë të kompromentuar me ndotje kimiko-bakteriologjike në rritje. "Duhet punuar seriozisht për ti zëvëndësuar me burime të tjera uji dhe me parametra brenda standardeve shtetërore", tha Gecaj, sipas të cilit, ASHR ka bërë me dije situatën pranë Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve dhe organeve të tjera shtetërore. Sektori i Higjienës Publike të ASHR-së ka ndjekur gjithashtu problemet e kanalizimeve të ujrave të zeza. "Mjaft të përmendim rastet jo të rralla të inondimit të bodrumeve, apo të kateve të nëndheshëm, përfshirë edhe ish-vendstrehimet (rreth 580 të tillë), që bëhen burime infeksionesh apo cënojnë sistemet e ujit të pijshëm, etj", tha Gecaj. Sipas tij, këto probleme kërkojnë zgjidhje urgjente nga institucionet përkatëse projektuese dhe miratuese.