E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, zbulohet një arsenal i vërtetë municionesh luftarake

Një arsenal i vërtetë municionesh luftarake janë zbuluar mëngjesin e djeshëm në qytetin e Gjirokastrës. Nëpërmjet një komunikate për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës njoftohet se plot 40 predha kundratank model 69, 200 granata dore mbrojtëse (difensive), 11.180 copë fishekë luftarakë model 56, 200 copë ndezës të këtyre granatave, 12 krehra fishekësh model 56 janë sekuestruar nga policia pas një kontrolli të ushtruar në tunelet e ish-repartit ushtarak “Ish-Brigada e 5-të” në vendin e quajtur Leknjas mbi lagjen SMT të Gjirokastrës. Forcat blu të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ndërmorën mëngjesin e djeshëm, rreth orës 09:30 minuta, pasi policia kishte marrë më parë informacione në rrugë operative. Policia e cilëson sasisë e municioneve luftarake si shumë të rrezikshëm. Konkretisht janë sekuestruar 10 arka druri, në të cilat kishte në çdo arkë 4 predha kundratank model 69, gjithsej 40 copë predha. 10 arka druri, në të cilat kishte nga 20 copë granata dore mbrojtëse (difensive), gjithsej 200 copë, 10 arka druri në të cilat kishte nga 2 kuti metalike të cilat kishin fishekë luftarakë model 56, gjithsej 10800 copë. 20 kuti plastike ku çdo kuti kishte nga 10 ndezës të këtyre granatave, gjithsej 200 copë ndezës, 12 krehra të mbushur me fishekë model 56, gjithsej 380 fishekë. Sasia e armatimit është transportuar nën masa sigurie për në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Policia po punon për të evidentuar dhe kapur poseduesit e mundshëm të këtyre municioneve luftarake. Në fund të komunikatës për shtyp, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër i bën thirrje edhe njëherë qytetarëve të bashkëpunojnë për evidentimin dhe grumbullimin e të gjithë municioneve luftarake të mbetura që prej vitit 1997, pasi këto municione janë një rrezik potencial për jetën e banorëve.

Pogradec

Gjendet i vdekur në ujërat e liqenit adoleshenti Balliu

Një djalë 17-vjeçar është gjetur i vdekur në ujërat e liqenit të Pogradecit dhe rezultoi se ai ishte banor i Tiranës. Burime zyrtare policore bënë të ditur se viktima është Valmir Balliu, lindur në Sllatinë të Pogradecit dhe banues prej disa vitesh në Babrru të Tiranës. “Valmiri u gjet në orën 19.30 të ditës së djeshme në afërsi të lokalit “Konti”, në lagjen nr. 1 të qytetit, në largësinë 100 metra nga bregu i liqenit”, sqaroi policia e Pogradecit. Adoleshenti është zbuluar nga qytetari Servet Çollaku, banues në Pogradec, i cili po kalonte rastësisht me varkë dhe gjeti trupin, të cilin e mori në mjetin lundrues dhe më pas lajmëroi policinë. Ekspertë hetimorë mblodhën prova dhe dëshmi. Atyre u rezultoi se dy ditë më parë, Valmir Balliu, sipas deklarimeve të dëshmitarëve, ishte futur në liqen për t’u larë, por nuk ishte parë më të dilte që andej. Pak minuta më vonë, trupi i tij u gjet nga personi me varkë, 100 metra larg bregut. Policia tha se dyshon që vdekja e të miturit të ketë ardhur për shkak të mbytjes në ujë, nga bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes ndaj e klasifikoi ngjarjen si vdekje aksidentale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›