E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia gjermane ishte në dijeni për trafikimin e drogës



Shtetasi gjerman që bashkëpunoi me dy shqiptarët për të trafikuar lëndë narkotike drejt vendit të tij rezulton të jetë agjent i policisë gjermane. Lajmi është bërë i ditur ditën e djeshme nga burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet. Sipas të njëjtave burime, thuhet se ekzistojnë filmime të cilat japin prova të pakundërshtueshme lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike nga shteti shqiptar për në Gjermani. Prokuroria shqiptare në bashkëpunim me prokurorinë gjermane ka arritur t’i sigurojë këto prova të cilat rëndojnë mbi dy shqiptarët. Gjithashtu, sipas burimeve, bëhet me dije se organet gjermane kishin rënë në gjurmë lidhur me ekzistencën e një grupi trafikuesish shqiptarë në vendin e tyre dhe për këtë organet gjermane kanë përdorur një agjent të policisë së tyre për të “peshkuar” grupin shqiptar. Lidhur me këtë, e gjithë faza e marrjes dhe e transportimit të drogës për në vendin gjerman është filmuar. Menjëherë pas dërgimit të lëndës narkotike jashtë vendit, është bërë e mundur ndalimi në Gjermani i shqiptarit Edis Muja, si dhe trafikuesit të rremë (agjentit gjerman). Arrestimi i 33-vjeçarit Hasaj u bë vetëm një ditë pasi autoritetet policore gjermane kishin ndaluar shqiptarin Edis Muja, i cili po trafikonte një sasi prej 11 kilogramë lëndë narkotike Kanabis Sativa. Për këtë arrestim është vënë në dijeni policia shqiptare, e cila ka prangosur menjëherë Hasajn që dyshohet të jetë organizatori i gjithë rrjetit të trafikut. Sasia e drogës e kapur disa javë më parë në Gjermani nuk është e para, pasi policia e këtij shteti ka bllokuar sasi të ndryshme lëndësh narkotike, që vinin nga Shqipëria. Dërgesat e drogës që kapeshin nga policia gjermane kishin alarmuar autoritetet policore të këtij vendi, që një rrjet i trafikut të drogës ishte në kulmin e lulëzimit. Pas shumë hetimesh, autoritetet gjermane arritën të vinin në dijeni drejtësinë shqiptare se droga vinte nga Shqipëria drejt vendit të tyre. Hetimet nisën njëkohësisht në të dyja shtetet për të shkatërruar rrjetin kriminal, kapo i të cilit dyshohet të jetë 33-vjeçari shkodran Hasaj. Kështu, falë bashkëpunimit me homologët gjermanë u identifikuan dy nga anëtarët e këtij rrjeti, konkretisht, Gazmend Hasaj dhe Edis Muja, që u prangos në Gjermani. Pak kohë pas kapjes së Mujës, Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi u njoh me materialet e ardhura nga Gjermania, firmosi fletë-arrestin për Hasajn, që u ekzekutua brenda një kohe të shkurtër falë një operacioni të zhvilluar në fshehtësi të plotë. Burime pranë organit të akuzës thanë se kanë prova të mjaftueshme për të vërtetuar përfshirjen e shkodranit në trafikun e narkotikëve. Sasitë e drogës të kapura në shtetin gjerman, ku organizatori mendohet të jetë pikërisht Hasaj, përgjimet telefonike, janë vetëm disa nga provat e forta, por mbi të gjitha, filmimet e të gjithë operacionit nga agjenti gjerman duket se do ta mbajnë për një kohë të gjatë larg lirisë trafikantin Hasaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›