Dyshohet për grabitjen e turistëve çekë, ekstradohet Redion Terolli
Grabitja e dy shtetasve çekë dhe përdhunimi i njërit prej tyre ka tashmë një autor të dyshuar në pranga, i cili që prej ditës së djeshme do të qëndrojë në qelitë shqiptare. Bëhet fjalë për shtetasin Redion Terolli, 21 vjeç, lindur në Zvezdë të Korçës, i cili është ekstraduar dje përmes Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana nga Athina e Greqisë. I riu, i cili u arrestua më 21 janar të këtij viti në Greqi, sipas akuzës, është provuar se më 30 korrik 2006, në bashkëpunim me Maljan Mecollin, më në afërsi të fshatit Zvezdë, rrugës për në Prespë, kanë grabitur dy turistë çekë, madje duke shkuar më tej dhe përdhunuar turisten çeke. Burime zyrtare policore u shprehën se nga hetimi i bërë pas ngjarjes, rezultoi se dy të rinjtë nga Zvezda e Korçës, moshatarë, i kanë takuar rastësisht shtetasit çekë Robert T. dhe Alena K. Por kjo nuk i ka penguar që duke i parë të pambrojtur, me anë të kërcënimit të kryejnë që të dy marrëdhënie seksuale me dhunë me vajzën Alena K. Më pas, ata dhe i kanë grabitur shumën e të hollave, si dhe sendet që kishte me vete, jo vetëm vajza, por dhe djali që e shoqëronte. Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja e rëndë u gjykua por në fund, Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin e saj numër 46, datë 06.04.2007, ka vendosur deklarimin fajtor të Redion Terollit për veprat penale të “marrëdhënieve seksuale me dhunë” dhe “vjedhjes me dhunë” kryer në bashkëpunim, duke vendosur dënimin e tij me 8 vjet burg.
Ngjarja
Policia e Korçës ka dhënë versionin e ngjarjes dy vjet më parë, nisur nga dëshmitë e dy turistëve çekë që kishin ardhur për pushime në Korçë. “Nga të dhënat e para hetimore rezulton se grabitësit janë nga fshatrat përreth Parkut Kombëtar të Prespës. Grabitësit kanë ushtruar dhunë mbi 29-vjeçarin çek, Robert Tropak, të cilin e kanë qëlluar disa herë me mjete të forta në trup e kokë”, - kanë deklaruar burimet policore. Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur në momentin kur çifti ishte duke udhëtuar në rrugën nacionale pranë fshatit Zvezdë, për të shkuar për vizitë në Parkun Kombëtar të Prespës. Gjatë kësaj kohe, dy persona ende të paidentifikuar nga policia, pasi e kanë qëlluar disa herë me mjete të forta në trup e kokë 29-vjeçarin çek, Robert Tropak, i kanë marrë një telefon të markës “Siemens”, një kamera dixhitale të tipit “Olimpus”, 200 dollarë, 70 euro, 200 dinarë serbë, 250 korona çeke dhe dokumentet e identifikimit. Më pas, grabitësit janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur, ndërsa dy të rinjtë çekë kanë depozituar padi në komisariatin e policisë së Korçës në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Dy të rinjtë çekë, Robert Tropak, 29-vjeçar, dhe Alena Kodokova, 22-vjeçare, kishin zgjedhur qytetin e Korçës për të pushuar në intimitet gjatë muajve të verës. Ata kishin mbërritur rreth një javë më parë në Korçë dhe përveç qytetit kishin arritur të vizitonin edhe një pjesë të fshatrave pranë tij. Kanë qenë duke kujtuar momentet më të bukura të udhëtimit në Shqipëri, kur janë përballur me dy të rinj, të cilët i janë vërsulur menjëherë 29-vjeçarit. Njëri prej grabitësve e ka mbajtur nga shpatullat, ndërsa i dyti ka nisur ta qëllojë me grushte dhe me një dërrasë që kishte me vete, derisa e kanë lënë të shtrirë përtokë. Ndërsa shoqja e tij nuk ka arritur që t’i japë ndihmë e tmerruar nga ngjarja e papritur. Dy grabitësit, pasi e kanë lënë gati pa ndjenja në tokë 29-vjeçarin Tropak, u kanë marrë çantat e shpinës dy turistëve çekë dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Pasi ka marrë veten nga goditjet e grabitësve me mjete të rastit, Tropak dhe Kodokova kanë mbërritur në qytetin e Korçës, ku kanë bërë denoncim në lidhje me këtë ngjarje.