Shtator; Priten ndryshime në strukturat drejtuese të policisë së kryeqytetit
Përfundimi i pushimeve verore dhe nisja e punës në shtator parashikon ndryshime në radhët e Policisë së Shtetit, në nivele të larta dhe të ulëta drejtuese. Ndryshimet nuk do të lënë pa prekur edhe uniformat blu të kryeqytetit. Fillimi i shtatorit do të sjellë ndryshime në strukturën drejtuese të policisë së kryeqytetit. Burime nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur se gjatë rikonstruktimit do të ndryshojnë drejtori i Policisë së Tiranës, si dhe drejtues të tjerë të rangjeve me të ulëta. Drejtori i policisë, Muhamet Rrumbullaku, i cili mban gradën e nëndrejtorit të përgjithshëm, (që ia lejon ligji, si pasojë e drejtimit të policisë së kryeqytetit), do të shkojë në një post tjetër në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Kjo gjë, sipas të dhënave do të bëhet si stimul për Rrumbullakun. Por, këto lëvizje do të prekin dhe personat e tjerë drejtues në këtë institucion. Ndërkaq që pas ndryshimit të kreut, pritet që të bëhen të tjera ndryshime dhe në shefat e komisariateve të të gjithë kryeqytetit. Ndryshimet priten që të nisin në fillim të muajit shtator, kur të rikthehen të gjithë punonjësit e uniformave blu në punë, me mbarimin e pushimeve. Prej disa ditësh është folur për ndryshimin e kreut të Policisë së Tiranës, duke e dërguar atë në Policinë e Shtetit, në një post të lartë drejtues. Ndërkohë që zëvendësuesi i tij pritet të jetë po një drejtues i lartë i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.