Pacientët marrin para borxh për të paguar operacionet
Pagesa afrofe nuk është vetëm tek faturat e dritave dhe tek ato të ujit, por së fundmi, edhe në operacione. Shkalla e vështirësisë së tij merr një rëndësi të dytë për t’i përcaktuar koston ndërhyrjes duke renditur si të parin xhepin e pacientëve.
Në mëngjes, në drekë apo edhe në orët e vona të darkës pacientët pasi ndiejnë dhembje të padurueshme, drejtohen me urgjencë në spital. Pas një kontrolli, mjekët marrin përsipër t’i thonë atij që duhet operuar.
Kuptohet, që kjo fjalë e mjekut nënkupton edhe një shumë të hollash, që do të përfundojë në xhepat e tij, pa marrë asnjë faturë, sipas pacientëve. Kemi pyetur pacientë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe ata na kanë dhënë një listë të detajuar të çmimit të operacionit, duke anashkaluar arkën e shtetit.
Operacionet
Fillimisht, lajmi për operacion i komunikohet njërit prej familjarëve që ka shoqëruar pacientin. Atij i thuhet se i afërmi është rëndë dhe se nuk mjafton ndihma e urgjencës, por duhet të operohet në moment. Pasi mjeku i parashtron mendimin të afërmit të pacientit, e pyet atë në është gati.
Myrveti, 45 vjeç nga Maminasi, shpjegon se iu komunikua gjendja e rëndë e gruas së tij dhe si më pas ai mori vendimin për ta operuar.
“Nusja kishte dhembje të forta në bark. E mora dhe erdha menjëherë në urgjencë. Kam ndenjur tri orë në urgjencë se nuk vinin mjekët që të merreshin me të. Më pas erdhi një mjek. E vizitoi dhe më tha ta operonim. Më pyeti në isha gati. I thashë: “Patjetër, veç dua të dalë shëndosh e mirë ime shoqe”. Por ai më përsëriti sërish pyetjen.
Myrveti pohoi se fillimisht nuk e kishte kuptuar “përgatitjen” që i kërkonte mjeku. Sipas tij, përgatitje duhej të ishte me lekë dhe jo shpirtërisht.
Në ato momente, siç tregon Myrveti, ka telefonuar baxhanakun e tij për t’i kërkuar para borxh për të bërë operacionin.
“Pas disa orësh doli mjeku e më tha: “Operacioni doli me sukses. I uroj shëndet gruas suaj”, dhe u largua. I vajta në dhomë, por më tha se ishte zënë. Në ato momente hyri një infermiere, i dhashë zarfin me lekë për të gjithë ata që kishin asistuar në operacion. Për gruas time, që u opera për apendicit, dhashë 40 mijë lekë të reja”, - pohon ai.
Por Myrveti nuk është i vetmi pacient që paguan operacionin sipas mundësive që ka. Në mënyrë indirekte apo direkt pacientëve u vihet një kufi minimal mbi koston e operacionit, duke i dhënë atij të kuptohet se një ndërhyrje kirurgjikale kushton, por kostoja varet nga xhepi.
Ku janë tarifat?
Në asnjë pjesë të spitalit nuk ka tarifa të afishuara mbi tarifat që duhet të paguajë secili pacient kur kryen ndërhyrjen kirurgjikale në spitalet e vendit. Sipas një vëzhgimi të kryer nga gazeta “standard” në spitalet e QSUT-së, asnjë operacion nuk ka të afishuar koston, duke lënë të hapur vendin për abuzim nga ana e bluzave të bardha. Në rastin më flagrant mjekët kirurgë bëjnë edhe pazare mbi shëndetin e pacientëve.
Ndërkohë që për të kryer një operacion në veshka, si për infeksion, ashtu edhe për heqje gurësh, pacientët paguajnë 50 mijë lekë të reja. Ndërsa për ulcera në stomak 20 mijë lekë të reja, çmime që variojnë jo në bazë të kostove të tyre, por në bazë të xhepave që ka secili qytetar dhe në bazë të dëshirave të mjekut.
Falas (!!!)
Sipas një fletë-njoftimi të vendosur nëpër mjediset e spitalit, shpjegohen kategoritë e personave që përfitojnë shërbime mjekësore falas në spitalin universitar në kryeqytet.
Janë dy kategori, pensionistë dhe invalidë, të cilët përfitojnë çdo shërbim falas. Ndërsa personat që janë në marrëdhënie pune, pra janë të siguruar, duhet të paguajnë 20 për qind të shumës për shërbime si eko, analiza gjaku, skaner, rezonancë. Ndërkohë që kjo kategori ndërhyrjet kirurgjikale i përfiton falas pasi kjo i rimbursohet nga shteti falë pasjes së një libreze shëndetësore.
Personat të cilët janë të pasiguruar duhet të paguajnë çdo gjë nga xhepi i tyre. Kjo gjë vlen që nga ekzaminimet e deri tek ndërhyrja kirurgjikale. Por edhe tarifat që duhet të paguajnë këto kategori personash varion nga mundësitë e tyre, pasi nuk ekziston një tarifë shtetërore që i detyron ata të paguajnë.
Operacionet
Sa kushtojnë operacionet në QSUT
Veshka 50 mijë lekë të reja
Apendiciti 45 mijë lekë të reja pa narkozë
50 mijë lekë të reja me narkozë
Ulcera 20 mijë lekë të reja
Tëmth 30 mijë lekë të reja operacion
60 mijë lekë të reja me sondë
Ngatërrim zorrësh 20 mijë lekë të reja
Prostata 15 mijë lekë të reja
Tiroidja 25 mijë lekë të reja