"Shqipëria në moshën e internetit" pajis me kompjutera hajdutët
ELBASAN/ Vetëm përgjatë këtij viti, pesë shkolla kanë përfunduar nën shënjestrën e vjedhësve
ELBASAN - Pajisja e shkollave me kompjutera ka qenë një e mirë jo vetëm për nxënësit, por edhe për vjedhësit. Vetëm vitin e fundit, 5 shkolla kanë përfunduar nën shënjestrën e tyre me qëllim vjedhjen e kompjuterave. Kryesisht shkollat kanë qenë në zona të thella rurale. Kështu, një natë më parë, pre e sulmit ka rënë një shkollë në fshatin e largët Gurshpatë të komunës Polis në rrethin e Librazhdit. Drejtori i shkollës, Kujtim Cura, me banim në Polis, ka shkuar të kontrollojë shkollën kur ka konstatuar edhe vjedhjen e shkollës në sallën e kompjuterave. Burime nga policia bëjnë të ditur se gjatë natës persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në klasën ku mbaheshin 6 kompjuterat duke marrë dy prej tyre. Dyshimet e para kanë rënë mbi banorë të zonës, të cilët e dinin me saktësi vendndodhjen e kompjuterave në shkollë. Gjithsesi, ende nuk ka asnjë provë për autorësinë e vjedhjes. Policia bën të ditur se shumë shpejt do të identifikohen autorët dhe do të përfundojnë para drejtësisë. Kompjuterat në fshatin e thellë të Librazhdit kishin vetëm pak kohë që kishin mbërritur nga projekti për internetin në shkolla. Rastet e grabitjes së shkollave për të marrë pajisjet kompjuterike nuk kanë qenë të pakta dhe kryesisht shkollat e grabitura kanë qenë në fshatra të thellë që nuk kanë edhe roje për ruajtjen e godinës së shkollës. Kjo ka bërë që shumë drejtues shkollash të sigurojnë mjaft kompjuterat madje duke i mbyllur në drejtori dhe duke siguruar dritare e dyer që të mos bien pre e vjedhësve.