E Diel, 1 Nëntor 2026

Pabarazia në tendera, gjobë 200 mijë lekë

DENONCIMI/ Togat e zeza të Kavajës vendosën të dënojnë pesë punonjës të komisionit të tenderave

KAVAJË- Gjykata e Kavajës dha dje vendimin për pesë punonjës të Komisionit të Tenderave dhe një përfaqësuesi të një firme ndërtimi nga Peqini, e cila akuzohet për falsifikim të dokumenteve zyrtare. Sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Luan Lusha, të pandehurit Edmond Arkaxhiu, Helidon Plaku, Emine Vërria, Kostandin Filja dhe Suzana Arkaxhiu janë fajtorë për veprën penale të “shkeljes së barazisë dhe pjesëmarrjes në tendera dhe ankande publike”. Për dëmin që i kanë shkaktuar shoqërisë që bëri denoncimin në dhjetor të vitit të kaluar, personat e mësipërm, të cilët janë anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave në Bashkinë e Kavajës, u dënuan secili me gjobë. Kështu u vendos një dënim me nga 200 mijë lekë gjobë për Edmond Arkaxhiun dhe Helidon Plakun, kurse Suzana Arkaxhiu, Konstadin Filja dhe Emine Vërria u dënuan me 140 mijë lekë gjobë secili. Në lidhje me të pandehurin Emiljano Daismaili, i akuzuar për “falsifikim të dokumenteve në këtë proces”, u vendos dënimi i tij me 18 muaj liri me kusht. Disa ditë më pare, në diskutimin përfundimtar, prokurori i kësaj çështjeje, Dritan Nushi, kërkoi që pesë të pandehurit e komisionit të tenderit të dënohen me gjobë nga 200-500 mijë lekë si dhe heqje të së drejtës publike për ushtrimin e aktivitetit në administratën shtetërore dhe publike për 5 vjet. Në lidhje me specialistin e firmës së Peqinit, Emiliano Daismaili, prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 6 muaj heqje lirie dhe 400 mijë lekë gjobë. Megjithatë, pas vlerësimit të fakteve, gjykata vendosi thjesht dënimin me një gjobë nga 140-200 mijë për fajtorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›