Gripi Aktiv

Përfaqësues të ekipit për menaxhimin e gripit të derrave në Kosovë bëjnë të ditur se numri i viktimave që kanë vdekur si pasojë e këtij gripi ka arritur në 11.
850 raste të dyshuara thuhet se janë raportuar në institucionet shëndetësore, prej të cilave 265 janë konfirmuar të jenë pozitive. Kështu njoftoi zyrtari i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Jusuf Dedushaj.
“Që nga data 15 korrik e deri më 18 dhjetor, në Institutin Kombëtar janë raportuar 850 raste të dyshimta, ndërsa 265 raste pozitive me virusin pandemik A-H1N1. 11 raste të vdekjes janë konfirmuar”, tha Dedushaj.
Kohë më parë, Kosova kishte pranuar një donacion prej 5,000 dozash të vaksinave kundër gripit të derrave nga Qeveria e Turqisë.
Pas informatave të ndryshme në lidhje me efikasitetin e këtij lloji të vaksinave dhe në lidhje me pasojat eventuale të përdorimit të tyre, qytetarët e Kosovës duket se kanë hezituar t’iu drejtohen ekipeve mjekësore.
Edhe pse Komiteti Kombëtar për Sëmundje Ngjitëse ka preferuar që të merret kjo vaksinë, qytetarët, sipas Dedushajt, nuk kanë shprehur interesim për t’u vaksinuar.
“Sa u përket vaksinave për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, i kemi marrë nga Republika e Turqisë dhuratë dhe kanë qenë të dedikuara për punëtorë shëndetësorë. Por, fillimisht, kanë hezituar t’i marrin”.
“Ne presim nga OBSH-ja që t’i marrim 220 mijë doza të kësaj vaksine në fillim të janarit. Edhe Qeveria e Kosovës i ka blerë edhe 220 mijë doza të tjera vaksina joadivante, që është njëra ndër vaksinat më të mira. Shpresojmë që kjo vaksinë, sipas planit që kemi përgatitur, do të shpërndahet në tërë Kosovën dhe do të bëjë imunizimin e qytetarëve”, u shpreh Dedushaj.
Pasqyra e publikuar për numrin e të infektuarve, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nuk mund të jetë plotësisht e saktë, ngase, siç thuhet, institucioneve shëndetësore nuk u drejtohen të gjithë të infektuarit.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kosovën, Skënder Syla thotë se “numri është shumëfish më i lartë dhe vlerësohet të jetë me mijëra në Kosovë, në bazë të raporteve. Tash ka një intensitet të rënies së gripit”.
Syla tha se statistikat e deritanishme në lidhje me infektimet me virusin A-H1N1, nuk paraqesin numrin real, sepse shumica e pacientëve, sipas tij, e kalojnë lehtë këtë sëmundje dhe disa nuk e lajmërojnë fare si sëmundje.
Syla pohoi se i njëjti problem shtrohet edhe në vendet e tjera të botës, sepse nuk ka mundësi dhe kapacitete laboratorike për t’u identifikuar të gjitha rastet.
Që nga shfaqja e këtij virusi në Kosovë, në muajin korrik të këtij viti, e deri më tani, sipas infektologëve, mund të flitet për rënie të personave që përballen me simptoma të këtij gripi, e që u drejtohen institucioneve të shëndetësisë.
Infektologu Ilir Tolaj tha se numri i përgjithshëm i pacientëve që po hospitalizohen në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, ka rënë gjatë kohëve të fundit.
“Krahasuar me disa javë më herët, që ishin me dhjetëra brenda ditës, tani kanë rënë nën shifrën 10. Disa vijnë në klinikë dhe nuk janë për hospitalizim, kurohen në shtëpi. Në përgjithësi, vërehet një numër në rënie”, u shpreh Tolaj. (rfe)
Pritet të vijnë vaksinat
Ndonëse ishte pritur që të dielën në Kosovë të arrijnë 10.120 pako me “Tamiflu”, si pjesë e ndihmës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Kosovën në ballafaqimin me virusin A/H1N1, një gjë e tillë deri më tash ende nuk ka ndodhur, ndërsa zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se vonesa ka ndodhur për shkak të kushteve të vështirësuara atmosferike. Ministria e Shëndetësisë kishte paralajmëruar të premten se sot do të arrijnë në vendin tonë edhe 10 mijë e 120 pako me Tamiflu, ilaçe këto që do të përdoren në trajtimin e gripit të derrit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë për Kosovapress se MSH është duke pritur ardhjen ampulave “Tamiflu”, prodhim i kompanive farmaceutike zvicerane dhe donacion i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kosovën.
“Ampulat janë prodhim i Zvicrës, ndërsa gjatë ditës pritet të arrijnë në Kosovë. Sigurisht mund të ketë ndonjë vonesë për shkak të reshjeve atmosferike, apo pengesave në transport, mirëpo e rëndësishme është që do të arrijnë”, ka thënë Hoti.
Kosova është përfituese më e madhja në rajon e medikamenteve kundër virusit të derrave në formë donacioni nga OBSH-ja. Hoti thekson se në ditët në vijim pritet ardhja e një kontingjenti prej 50 mijë deri 100 mijë doza të vaksinave, nga gjithsej 220 mijë sa ka premtuar OBSH-ja, derisa pjesa tjetër pritet të arrijë vitin e ardhshëm.
“ “Tamflut” do të vendosën në depon e ministrisë, dhe pastaj do t’i shpërndahen Qendrës Klinike Universitare, spitaleve rajonale dhe qendrave të mjekësisë familjare. Këto medikamente qytetaret i marrin falas dhe tash për tash furnizimi është shumë i mirë. Edhe pa këto 10.120 kapsula kemi furnizim të mjaftueshëm, sepse Kosova ka në dispozicion 27.500 njësi “Tamiflu””, ka thënë zëdhënësi i MSH-së.
Ndryshe, marrëveshja për vaksinat në formë donacioni është nënshkruar nga drejtoresha e OBSH-së, Margaret Chan dhe ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi.
Ministria e Shëndetësisë njofton se i ka bërë përgatitjet logjistike për pranimin e këtij donacioni dhe barnat të cilat do të merren do të dërgohen në depon e ministrisë dhe pastaj do t’u distribuohet sipas nevojave të qendrave spitalore të Kosovës.
Pakot e “Tamiflusë” që pritet të arrijnë në Kosovë kanë vlerë prej 155.342 dollarëve amerikanë.
Në Kosovë rasti i parë me gripin e derrave është shënuar më 15 korrik dhe deri më tash janë regjistruar nëntë raste fatale, dhe mbi 250 persona të infektuar nga ky virus.