E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastra në qiell



Buxheti i shtetit për restaurimin e monumenteve të kulturës në të gjithë territorin e Shqipërisë për vitin 2009 është 1.7 milion lekë të reja. Edhe pse shtrirja gjeografike e investimeve të restaurimeve është nga Shkodra në Korçë, si dhe nga Vlora në Dibër, sërish në fokusin e vëmendjes mbetet qyteti i gurtë i Gjirokastrës. Drejtori i Kulturës pranë MTKRS-së, Olsi Lafe, ka treguar hartën e ndërhyrjeve që do të bëhen në vitin 2009, në të gjithë vendin dhe veçanërisht në zonat e rrezikuara të qytetit të Gjirokastrës

Gjirokastra në qiell

Suela Furriku

Buxheti i shtetit për restaurimin e monumenteve të kulturës në të gjithë territorin e Shqipërisë për vitin 2009 është 1.7 milion lekë të reja. Por ky fond është çelur qysh në 2008, fond i cili ka shkuar për ndërhyrjet restauruese në qendrat historike të trashëgimisë kulturore, pa përmendur këtu shumën e akorduar nga donatorët e huaj.

Edhe pse shtrirja gjeografike e investimeve të restaurimeve është nga Shkodra në Korçë, si dhe nga Vlora në Dibër, sërish në fokusin e vëmendjes mbetet qyteti i gurtë i Gjirokastrës. “Fondi prej rreth 1.3 milion USD i qeverisë shqiptare, i akorduar nga UNESCO, i tenderuar prej saj sipas kritereve ndërkombëtare, me destinacion restaurimin e objekteve monument kulture në qendrën historike të Gjirokastrës, është duke u lëvruar dhe përdorur nga firma restauruese që ka fituar tenderin e organizuar nga UNESCO”, - ka thënë dje në konferencën për shtyp drejtori i kulturës, Olsi Lafe, duke raportuar njëkohësisht mbi situatën e restaurimeve jo vetëm të vitit të kaluar, por dhe ndërhyrjet që do të ketë në vitin 2009.

Disa nga objektet në të cilat po punohet sot në Gjirokastër me fondet e qeverisë shqiptare të lëvruara nga UNESCO janë zona e Qafës së Pazarit dhe banesa të tjera pranë saj si Angonatët, Kabilatët, Gurgaj, Çene etj. Lafe tregon se të gjitha këto punime po kryhen në bazë të kalendarit të ndërhyrjeve restauruese të përgatitur nga përfaqësuesit e delegacionit të UNESCO-s dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës në varësi të MTKRS-së. “Qëllimi i ndërhyrjes restauruese mbetet ruajtja e autenticitetit të Gjirokastrës për sot dhe për brezat që do të vijnë, si një destinacion me vlera të padiskutueshme dhe me vizitueshmëri të lartë të turistëve vendas dhe të huaj. Fokusi i veçantë qëndron në qendrën historike, rrugët e fasadat, por edhe shtëpinë e shkrimtarit Ismail Kadare, Babaramos, Çabej, si dhe në Hanin e Zagorisë, një investim thelbësor për të gjithë qytetin me vlerë 24 milionë lekë të reja. Është krijuar për herë të parë Zyra e Koordinimit dhe Administrimit të Qendrës Historike të Gjirokastrës, që plotëson kriteret e vendosura nga UNESCO për qytetin e gurtë”, - shprehet Lafe. Ndërkohë që për këtë vit sipas versionit zyrtar të Ministrisë së Kulturës, vetëm nga buxheti i shtetit është parashikuar një fond prej 43 milionë lekë investime të tjera të përqendruara në këtë qendër historike të Gjirokastrës. Ai ka përmendur edhe hidroizolimin e kalasë së Gjirokastrës, si një tjetër projekt, duke shtuar edhe punime të tjera në pazarin karakteristik apo restaurime për të paktën katër banesa të tjera si Pumot, Konomi, Kokobobo e Vehbi. “Këto banesa janë identifikuar nga ekspertiza e përpara disa ditëve e IMK-së dhe Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Gjirokastër, e cila po ndërhyn për eliminimin e rrezikshmërisë edhe në katër banesa të tjera të trashëguara prej rreth 20 vjetësh të trashëguara në gjendje mjaft të dëmtuar”, - thotë Olsi Lafe.

Ndërkohë që një sërë investimesh të tjera priten të ndërmerren gjatë 2009-s. “Jemi në kontakt edhe me fondacionin e njohur suedez “Pasuri pa kufij” për një kontratë për një fondacion prej 500 mijë eurosh, me një itinerar investimesh në vitin 2009-2010”, - shprehet drejtor i IMK-së, Valter Shtylla. Gjithashtu ai bën të ditur se “është menduar edhe krijimi i një reforme, e cila konsiston në krijimin e brigadave të mirëmbajtjes së të gjitha territoreve shqiptare që kanë vërtet monumente kulturore. Kjo është një iniciativë që do të ketë edhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe është ende në përmasat e diskutimit, si një reformë që do të operojë gjatë gjithë vitit në këto territore”. Sipas tij, 43 milionë lekët e akorduara nga shteti shqiptar mbulojnë restaurimin e rreth tetë objekteve në Gjirokastër, të cilët janë vlerësuar si më emergjente për të ndërhyrë. “Çdo objekt që klasifikohet si i tillë është ndarë nga një kategorizim se kush është më i rrezikshëm dhe më pak të rrezikshëm. Këto fonde, në fakt do të shkojnë pikërisht për atë kategori objektesh që janë më të prekshme, por njëkohësisht këtij fondi i shtohen edhe 20 milionë lekë për ndërhyrje masive në pazarin e Korçës, i cili trashëgohet nga viti i kaluar”, - thotë Shtylla, duke evidentuar edhe disa prej problemeve të ndeshura që pas viteve ’90, apo edhe pas 2005-s. “Ndër shqetësimet më delikate është problemi i pronësive të banesave. Është një shqetësim shumë i prekshëm për arsye se në këtë qytet banesat janë monumentale, fortesa dhe me vlera të larta kulturore. Por ndërkohë që për të ndërhyrë në këto banesa është shumë e vështirë, sepse të gjithë e dimë se ç’do të thotë kjo pikë, nëse një fortese e tillë është nën pronësi të dikujt”, - thotë drejtori i IMK-së, duke shtruar një tjetër shqetësim në zonën e Gjirokastrës, emigracionit dhe i migracionit, i brendshëm apo i jashtëm qoftë ai. “Kjo situata ka bërë që mjaft banesa janë në gjendje të mjeruar për shkak të braktisjes së tyre”, - thotë ai. Shtylla shton edhe faktin se pas shpalljes së qytetit të gurtë si trashëgimi kulturore nga UNESCO, edhe opinioni ndërkombëtar dhe sidomos ai kombëtar është sensibilizuar ndjeshëm, si dhe zhvillimin e turizmit familjar, apo shtëpiak, ndërkohë që shumë banesa janë pajisur me licenca të rregullta për t’i konvertuar ato në hotele, me qëllim për të aplikuar turizmin shtëpiak.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›