E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastra pajiset me tabela orientuese, asnjë përgjegjësi për gabimet në to

/>Fundi i vitit që shkoi, shënoi në Gjirokastër instalimin e tabelave orientuese, të cilat kanë për synim orientimin e vizitorëve të ndryshëm vendas e të huaj drejt siteve arkeologjike, monumenteve të kulturës si dhe pika të ndryshme natyrore me një status të caktuar. Tabelat u vendosën fillimisht anës superstradës Gjirokastër-Tepelenë, duke u pasuar në pjesët e brendshme të qytetit. Por duke parë këto tabela të reja në të dy krahët e autostradës qoftë edhe me një sy kalimthi, vëren gabime në emërtesa dhe pasaktësi të pajustifikuara për pika dhe monumente kulturore dhe arkeologjike të ndryshme. Gjuha e përdorur për emërtime është ajo e viteve 50-60, kur këto monumente nuk ishin studiuar dhe evidentuar plotësisht. Ajo që bie në sy është se në to nuk gjen as periudhën historike që ato i përkasin, as informacionet e tjera të nevojshme për udhëtarët etj. Ka aq shumë pasaktësi sa mund të thuhet me plot gojë se instalimi i tyre çorienton jo më një vizitor të huaj, por edhe ata vendas. Psh., emërtesa e fshatit Shtëpëz që ndodhet 10 km në veri të Gjirokastrës, tabela e cë cilës të drejton në kalanë e këtij fshati që në fakt nuk ekziston. Në fshatin Goranxi të Dropullit të Poshtëm, tabela të orienton për tek tumat e Jermës, vend ky që ndodhet në drejtim krejtësisht të kundërt me atë emetues. Në fshatin Vanistër tabela ka edhe gabime drejtshkrimore dhe emri i fshatit Vanistër, shkruhet Vinishte. Gabime të patolerueshme vihen re në përdorimin e emrave të  Parkut Arkeologjik të Antigonese dhe Teatrit të Hadrianopolit në Sofratikë të Gjirokastrës me termin "Kalaja e Jermës", kurse për Teatrin e Hadrianopolit termi "rrënojat e teatrit antik". Termat e përdorur i takojnë viteve të mëparshme kur ende Antigoneja nuk ishte zbuluar nga arkeologu Dhimosten Budina në vitet 70. Tabelat njëkohësisht të afrojnë dhe informacion të cunguar. Tek to nuk jepet asnjë e dhënë për kohën në të cilën datohet monumenti si dhe largësinë që ka nga vendi i tabelës ose i një qendre të banuar. Në tabelat orientuese mungojnë monumente të rëndësishme si Kalaja e Palokastrës, Tumat e Valaresë, kisha e Pepelit dhe ajo e Koshovicës. Asnjë urë monument nuk është e shkruar në këto tabela si psh Ura e Leklit, e Grapshit, e Kordhocës etj, që kanë një histori të largët ndërtimi. Por problematike tabelat janë edhe vetë brenda qytetit te Gjirokastrës. Vlerat e trashëgimisë së banesës qytetare, të cilat përfaqësohen në listën e monumenteve, nuk janë përfshirë fare në këto tabela megjithëse shteti financon restaurimin e tyre. Monumenti "Hamamet e Meçites" në tabelë shënohet "Banjat e Meçites" ndërkohë që Stera e Baboçateve e shkatërruar 20 vjet më parë, në tabela rezulton ekzistuese. Nga institucionet kulturore në Gjirokastër, askush nuk ka dijeni për realizimin e këtij projekti, i cili afron kaq pasaktësi në informimin e vizitorëve vendas dhe të huaj drejt vlerave tona të trashëgimisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›