E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, investimet e bashkisë në infrastrukturë, nis aksioni i ndërtimores

/>Bashkia e Durrësit do të vazhdojë investimet në infrastrukturë edhe për vitin 2009, gjë që zë edhe 50 % të buxhetit për këtë vit. Menjëherë sapo ka nisur ky vit, bashkia ka filluar punën për rikonstruksinin e disa rrugëve të reja që kanë qenë deri tani problematike për qytetarët durrsakë. Por për të kryer këto investime të rëndësishme është dashur edhe ndërhyrja e policisë ndërtimore të Durrësit në mënyrë që të bëhet lirimi i këtyre rrugëve nga ndërtimet pa leje që pengojnë këto rikonstruksione. Aksioni i Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Durrësit, i mbështetur edhe nga policia bashkiake ka filluar lirimin e hapësirave publike që pengojnë rikonstruksionin e rrugëve. Aksioni ka filluar tek nënstacioni Shkozet dhe tek rruga tek Korali në Plazh, ku janë prishur kryesisht gardhe që kishin ngushtuar rrugën dhe nuk lejonin të kryhej investimi. Ky aksion do të vazhdojë edhe javën e ardhshme brenda Durrësit dhe në Shkozet, në ato rrugë ku do të fillojë rikonstruksioni. Rruga tek nënstacioni në Shkozet është 470 metra e gjatë, ndërsa rruga tek Korali është 200 metra e gjatë. Investimi i Bashkisë së Durrësit për rikonstruksionin e këtyre dy rrugëve së bashku arrin në 22 180 372 lekë të rinj dhe përfshin përveç asfaltimit edhe infrastrukturën nëntokësore, ndriçimin, sistemimin dhe gjelbërimin. Bashkia e Durrësit gjatë vitit 2008 ka përfunduar rikonstruksionin e disa rrugëve dhe kuartalleve në qytet. 6 investime të rëndësishme janë mbyllur në 2008 dhe kanë filluar 7 të tjera që do të përfundojnë brenda këtij viti. Në fund të muajit nëntor kanë përfunduar rikonstuksioni i rrugës "N. Kazanxhiu" dhe "Drita", rruga "Vila" dhe ajo "Bashkimi", ndërsa është mbyllur investimi edhe për kuartallet në lagjen numër 18 dhe tek "30-vjetori". Investimet në bazë të projektit kanë bërë të mundur rehabilitimin e plotë të këtyre rrugëve, të cilat për shkak të gjendjes tejet të rënduar të amortizimit janë përfshirë në projektet e investimeve nga bashkia. Në vitin 2008 bashkia i ka kushtuar rrugëve dhe lulishteve brenda në qytetin e Durrësit 234 milion lekë nga buxheti i saj i pavarur. Përveç dy rrugëve në Shkozet dhe tek Korali, në proces investimi për vitin 2009 janë edhe rrugët "Amal Asunta", rrugët në lagjen numër 1 dhe në lagjen numër 2, rruga "Çajupi", ajo e "Tankeve" në lagjen numër 15 tek burimi dhe rruga për tek Vila përgjatë lagjes numër 1 të qytetit. Të gjitha së bashku këto rrugë do të kushtojnë për rikonstruksion 26.650.000 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›