E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastriti, kuqezi pas 23 muajsh mungesë Kuzhe pa mbrojtës të majtë, rikthen Haxhin

Altin Haxhi kthehet zyrtarisht në Kombëtaren shqiptare. Plot 23 muaj pasi u tërhoq nga impenjimet me përfaqësuesen në arenën ndërkombëtare, gjirokastriti është përfshirë sërish në skuadrën kuqezi. Duke parë mungesat në krahun e majtë të mbrojtjes, trajneri Josip Kuzhe ka kërkuar ndihmën e 34-vjeçarit, i cili nuk ka luajtur asnjë ndeshje me skuadrën që prej nëntorit 2007, në humbjen 6:1 në fushën e Rumanisë. Haxhi ka detyrën të mbulojë mungesat e Ansi Agollit dhe Kristi Vangjelit në sfidën e 14 tetorit me Suedinë. Majtoshi i Krivbasit është i pezulluar me kartonë për ndeshjen e fundit të Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit 2010, ndërsa Vangjeli vazhdon seancat e rehabilitimit tek Aris, pas dëmtimit në gju. Kuzhe kërkon që të provojë të gjitha shanset, e pse jo të largohet me pikë nga stadiumi "Rasunda". Rezultati pozitiv përballë përfaqësueses së udhëhequr nga Zlatan Ibrahimoviç është shumë i rëndësishëm për renditjen kontinentale të Shqipërisë. Aktualisht, në bazë të klasifikimit të UEFA-s, skuadra është në vendin e fundit të vazos 4 për shortin eliminator të Euro 2012. Objektivi kryesor i përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit është ruajtja e këtij pozicioni, që do të përkthehej me një grup më "të lehtë" në aktivitetin e ardhshëm.

Thirrja e Haxhit nuk është rastësi. Mbrojtësi vazhdon të luajë në nivele të larta me Apoel Nikosian, në Ligën e Kampioneve dhe eksperienca e tij mund t‘i shërbejë Kombëtares. Për më tepër, trajneri kroat synon të përforcojë krahun e majtë të mbrojtjes, pa e dobësuar ekipin në sektorët e tjerë. Elvin Beqiri tregoi se nuk mund të luante në këtë rol (pozicion që nuk është i tiji), ndërsa spostimi i Currit nga qendra do të prishte balancat e krijuara. Ja përse "veterani" Haxhi është i domosdoshëm, të paktën për takimin me Suedinë. Trajneri i ka dhënë edhe një tjetër shans Franc Veliut, pas "huazimit" të vlonjatit në përfaqësuesen Shpresa. Për sa i takon pjesës tjetër të skuadrës, nuk ka asnjë ndryshim. Në portë do të vazhdojë balotazhi për një fanellë titullari ndërmjet Isli Hidit dhe Samir Ujkanit. Në mbrojtje, përkrah "të sakrifikuarit" Cana, Dallkut, Currit e Beqirit, nuk mund të mungonte Andi Lila. Ervin Skela, Ervin Bulkut dhe Klodian Duro janë boshti i mesit të fushës. Atyre u shtohen edhe të rinjtë e kthyer në pjesë e përhershme të skuadrës Lika, Hyka, Lila, Bakaj dhe Jetmir Sefa. Ndërsa sulmuesit në dispozicion mbeten të njëjtit: Salihi, Bogdani, Kapllani dhe Berisha.

Kuzhe pritet të mbërrijë sot në vendin tonë, ku gjatë fundjavës do të ndjekë ndeshjet e Kategorisë Superiore. Pas vëzhgimeve në kampionat, tekniku, stafi i tij dhe lojtarët do të përgatiten për grumbullimin në Frankfurt. Në fakt, që prej 6 tetorit Kombëtarja do të stërvitet në qytetin gjerman, larg vëmendjes së mediave dhe tifozëve. Kuqezinjtë do të përgatiten tetë ditë, ndërsa më datë 13 do të udhëtojnë drejt vendit nordik, për sfidën e fundit në Grupin 1 eliminator të Kupës së Botës 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›