Luçi entuziast në prezantim: Vllaznia në Shqipëri, si Brazili
Roland Luçi është paraqitur mjaft entuziast për detyrën si trajner i ri i Vllaznisë. Ish-sulmuesi i kuqebluve në vitet ‘80, i cili ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses U-21 dhe Kombëtares "A", u prezantua zyrtarisht si pasardhësi i Hasan Likës. Për të nxjerrë nga kriza skuadrën shkodrane, ai u largua nga Austria: vend në të cilin jetonte prej shumë vitesh dhe ku është pajisur me licencën e trajnerit. "Fakti që drejtuesit e klubit më thirrën për të punuar në stolin e Vllaznisë më bën të ndihem i privilegjuar. Drejtimin e kësaj skuadre në futbollin shqiptar mund ta krahasoj me punën si trajner tek Ajaksi, pse jo edhe te Brazili", deklaroi ai përpara mediave, ku u paraqit përkrah presidentit Valter Fushaj. "Kjo është eksperienca ime e parë si trajner, por mund t‘ju siguroj se do të kisha ‘tradhtuar‘ çdo skuadër, sado e rëndësishme që të ishte, për të ndihmuar Vllazninë time. Emërimin në krye të stolit kuqeblu e shoh si një sfidë dhe i kam të qarta kërkesat dhe objektivat që duhen arritur". Në fjalët e para si trajner në "Loro Boriçi", Luçi kërkoi të minimizonte problemet në skuadër. Ai nuk e cilëson kaotike situatën, pavarësisht tri humbjeve në pesë ndeshjet e para të kampionatit dhe problemeve të shfaqura përpara portës kundërshtare (vetëm një gol në 450 minuta). "Vllaznia është një skuadër që arrin të thotë fjalën e saj në çdo aktivitet brenda vendit. Kam besim te kualiteti dhe forca e këtij grupi, që shumë shpejt do të kthehet mes kryesueseve. Nuk mendoj se është e nevojshme ‘fshesa‘ apo revolucioni. Nuk e shoh situatën si kaotike", shtoi tekniku. "Problemet me golat? Personalisht nuk më intereson kush shënon. Mjafton që topi të dërgohet në rrjetë, ky është objektivi i kësaj loje dhe goli vjen si rezultat i punës së të gjithë skuadrës. Duhet të paraqitemi si një grup i bashkuar, ku Vllaznia është më e rëndësishme se çdo individ: kjo është filozofia me të cilën do të punojmë". Presidenti Fushaj e vlerësoi emërimin e Luçit: "Mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur me afrimin në krye të stolit të këtij emri të njohur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar". Pas konsultës me drejtuesin e ri të stolit, numri 1 i klubit vendosi që të mos e ndryshojë stafin teknik.
e. kodheli
e. kodheli