E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithë bota mban sot frymën, luhet Argjentinë-Gjermani

Lëv: Luajnë përtej limiteve. Maradona: Do të na shohin “live”

Botërori i Afrikës së Jugut po hyn në fazën më interesante. Janë kohë të vështira, është koha e ndryshimit të gjeneratave që nuk verifikohen, koha e veteranëve gjithnjë në krye dhe të rinjtë që mplaken duke pritur dhe akoma i thërrasin të “rinj”, edhe pse nuk kanë më shumë energji për të shpenzuar. Por nga Gjermania vjen si një shembull për t’u ndjekur, për sa i përket futbollit. Trajneri Joakim Lëv ka çuar në çerekfinale skuadrën me moshën mesatare më të ulët të turneut, 25 vjeç: “Jo gjithmonë eksperienca është një vlerë decizive. Jemi të rinj, entuziastë, jemi të fortë dhe të shpejtë. E kemi demonstruar me Anglinë: në pjesën e dytë kishim ende energji për të ndryshuar marsh, ndërsa ata jo. Duam ta demonstrojmë edhe me Argjentinën”. Kejp Taun do të jetë një skenë e rrethuar me drita verbuese, pasi sot është një ndeshje të cilën e gjithë bota do ta ndjekë. “Nuk është nevoja të përgatisim ndeshjen në mënyrë të veçantë, lojtarët karikohen vetvetiu. Kemi arritur deri këtu, duke besuar gjithnjë te kualiteti ynë, edhe pse kur bëra listën e 23 të grumbulluarve ka pasur shumë skepticizëm apo kritika. Por kemi punuar mirë, djemtë më kanë ndjekur me entuziazëm. Loja jonë është e thjeshtë, e bazuar në rregull dhe disiplinë taktike, të gjithë mbrojnë dhe të gjithë sulmojnë, duke mos i lënë hapësira kundërshtarit. Duhet të bëjmë të njëjtën gjë ndaj Argjentinës, madje më mirë se zakonisht: ata kanë sulmues të mrekullueshëm, të cilët nuk do të na falnin asnjë gabim, edhe minimumin. Por kemi besim, duam gjysmëfinalen dhe mund ta arrijmë. Duhet të jemi të kujdesshëm nga loja e tyre shumë fizike, e fuqishme, shpesh duke luajtur përtej limiteve të lejuara. Nuk kam menduar kurrë për një lojë të dhunshme. Argjentinasit janë pasionalë, luftojnë fort, janë shumë të lidhur më bluzën e kombëtares. është loja amerikanojugore, është mentaliteti i tyre: ne kemi shumë respekt për kundërshtarët tanë”. Por gjermanët vijnë në këtë ndeshje me mungesën e Kakaut, dhe tashmë është në dyshim edhe Podolski. Skuadra më e kuotuar tashmë mbetet Argjentina, e drejtuar nga Diego Maradona. Ylli i futbollit botëror ka bërë zgjedhje të diskutueshme, që deri tani ia kanë shpërblyer. Askush nuk do ta kishte menduar se ai që do të drejtonte mesfushën argjentinase do të quhej Huan Sebastian Veron: 35-vjeçari ka demonstruar se është i aftë ta iluminojë kombëtaren e tij. Jo më pak surprizuese kanë qenë zgjedhjet e “El Pibe de Oro” që formojnë repartin e sulmit: bashkë me Mesin janë edhe Higuain e Tevez, dhe në pankinë qëndrojnë Milito e Aguero, por edhe veterani Palermo. Sulmuesi i Realit të madridit ka treguar aftësi unike për të shënuar, duke u pozicionuar në krye të golashënuesve më të mirë të Botërorit. Nëse Argjentina do të duhet të fitojë Botërorin e saj të tretë, do të duhet të mundë në fillim Gjermaninë. Një detyrë e vështirë, por skuadra e Maradonës i ka burimet e mjaftueshme për t’ia dalë mbanë. Për Argjentinën është pikërisht një moment i artë ky botëror. Jo vetëm rezultate dhe paraqitje bindëse, por, me sa duket, ka edhe një vullnet hyjnor për të mbrojtur argjentinasit. Të paktën këto janë fjalët e Maradonës. I pyetur për përqindjen e mundësive, “El Pibe” i ka siguruar të gjithë: “Jini të qetë djema. Shihemi në finale. Nëse Zoti do, shihemi në finale. Dhe jam i sigurt që Zoti do të dojë”. Trajneri ka folur edhe për formacionin. “Demikelis do të luajë titullar, thotë ai, por për Burdizon apo Samuelin duhet të mendohem ende”. Substancialisht janë vetëm këto dyshimet e Maradonës. Edhe pse Mesi nuk po shënon, ai është konfirmuar në sulm përkrah Higuain e Tevez. Deklarata e fundit e Maradonës u dedikohet edhe kundërshtarëve, Shvajnshtajgerit të parit: “Ka thënë se jemi provokatorë? Nuk besoj. Ne luajmë futboll dhe do ta shikojë ‘live” në fushën e lojës”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›