Ruleta e penalltive fshin Ganën. Uruguai shkruan sërish historinë
Afrika në lot, Gana i thotë lamtumirë botërorit, ndërsa Uruguai vazhdon të shkruajë historinë: në gjysmëfinale pas 40 vitesh. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të Ganës. Pas një fillimi të ndeshjes me një lojë nën nivel, skuadra afrikane ka marrë kurajë nga një presing i madh në mesfushë dhe një lojë në kundërsulm të denjë për Brazilin më të mirë. Avash-avash ka marrë në dorë frenat e lojës. Rastet nuk i kanë munguar Uruguait, por ishte Gana ajo që ka ndërtuar aksionet më të mira dhe më të rrezikshme. Pak sekonda para përfundimit të minutave shtesë të pjesës së parë, ka ardhur edhe një gol i çmendur i Muntarit, pas një goditjeje nga rreth 34 metra, e cila ka befasuar portierin Muslera dhe u ka dhuruar avantazhin “Black Stars”-ave (“Yjeve të Zinj”). Gjithsesi loja ka qenë e ekuilibruar. Edhe pjesa e dytë ka nisur aty ku ka përfunduar e para. Uruguai bën lojën në kërkim të golit të barazimit, ndërsa Gana është e frikshme me kundërsulmet e saj të shpejta, por Boateng nuk arrin të përfitojë nga hapësirat që lënë amerikano-jugorët prapa. Uruguaianët i afrohen pak nga pak zonës së Ganës, fitojnë një goditje dënimi dhe që aty gjejnë golin e barazimit 1-1 në minutën e 55: sulmuesi i “Colchoneros”, Forlan, gjuan drejt e në portë dhe Kingston surprizohet nga trajektorja e Jabulanit, që përfundon në rrjetë. Gana kërkon të reagojë dhe ndërton disa aksione të rrezikshme, ndërsa kombinimet e bukura të Uruguait afrojnë Suarezin pranë portës, por gjuajtja e tij pritet në mënyrë spektakolare nga portieri Kingston. Latinët demonstrojnë vazhdimisht superioritetin teknik në lojën e tyre, ndërsa Gana mundohet të poshtë kundërshtarët falë kombinimit mes forcës fizike dhe shpejtësisë. Në minutat e mbetura, skuadrat synojnë të jenë sa më të kujdesshme, ndërkohë që nuk harrojnë të ndërtojnë edhe raste, por mungon konkluzioni i saktë, në ndonjë rast edhe për meritë të portierëve respektivë. Kohët suplementare janë të pashmangshme. Në 15 minutat e para shtesë, të dyja skuadrat përpiqen, por megjithatë nuk e fshehin dot lodhjen. Kanë munguar rastet e pastra për shënim. Në minutën e fundit të pjesës së dytë shtesë, të 120, Gana fiton një penallti pas prekjes me dorë të Suarez (karton i kuq) në vijën fatale, por Gyan trondit vetëm shtyllën. Fati i gjysmëfinalistes së dytë vendoset nga lotaria e penalltive dhe është Uruguai ai që shkon në gjysmëfinale pas fitores 4-2 të gjuajtjes së 11-metërshave, pasi portieri Muslera priti dy penallti.
#