Spanja kërkon gjysmëfinalet, ndaj Paraguait për historinë
Trajneri i Spanjës, Visente del Boske, beson se lojtarët e tij janë gati të shkruajnë historinë: gjithçka mund të nisë duke fituar për herë të parë një sfidë në çerekfinale, ndërsa kundërshtari në Afrikën e Jugut 2010 është Paraguai. Sado e pabesueshme që mund të duket, “Furia e Kuqe” nuk ka luajtur asnjëherë në gjysmëfinale: ndërmjet viteve 1934 dhe 2002 ata kanë pasur katër mundësi në Kupën e Botës, por gjithmonë kanë dështuar. Pengesa e sotme në stadiumin “Elis Park” të Johanesburgut është Paraguai, si skuadra më e suksesshme, me të cilën vendi amerikanojugor është përfaqësuar në botëror. “E kemi të qartë që jemi në formë të mirë”, deklaroi trajneri Del Boske. “Skuadra stërvitet së bashku prej më shumë se 30 ditësh dhe besoj se këta futbollistë kërkojnë të shkruajnë historinë”.
Spanja ka luajtur vetëm në një rast mes katër më të mirave në botëror, në turneun e përgjysmuar të vitit 1950, kur vetëm 13 skuadra u paraqitën në Brazil. Në atë rast u kualifikuan vetëm fitueset e katër grupeve, të cilat më pas luajtën në një grup, ku përfaqësuesja që grumbullonte më shumë pikë shpallej kampione. Kur formati i aktivitetit ndryshoi, ku pas fazës së grupeve fillonin ndeshjen me eliminim direkt, iberikët janë ndalur gjithmonë në çerekfinale. Në vitin 2002, Spanja humbi me penallti përballë Koresë së Jugut, pasi ndeshja, e cila mbahet mend për vendimet e diskutueshme të gjyqtarit, përfundoi në barazim pa gola. Në Botërorin ‘94 ata humbën me rezultatin 2-1 përballë Italisë. Më 1986 Belgjika i mposhti pas ekzekutimit të “shootout” pas barazimit 1-1, ndërsa më 1934-n ata u eliminuan nga skuadra e vendit organizator, Italia.
Del Boske kërkon vlerësim maksimal për Paraguain dhe nuk ndan të njëjtin mendim me të gjithë ata që besojnë se kampionët e Europës kanë një shans të artë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, ku do të përballen me fituesen e çiftit Argjentinë-Gjermani. “Nëse do të më duhej të zgjidhja kundërshtarin nga shtatë skuadrat e tjera çerekfinaliste, realisht nuk do ta dija se cila prej tyre do të ishte më e lehta, shtoi trajneri. Paraguai, ashtu si edhe të gjitha ekipet e tjera latine, ka shfaqur karakter dhe lojtarët e tyre ushtrojnë presion në të gjithë fushën. Si në rastet kur luajnë me topin, ashtu dhe kur luajnë pa topin, paraguaianët kanë një stil të ngjashëm me Kilin, një skuadër me të cilën u ndeshëm në grup”. Spanja pritet të zbresë në fushë me të njëjtin formacion, ku pavarësisht formës së dobët të shfaqur deri më tani, Fernando Torres do të luajë në sulm përkrah David Vijës.
#