Shnajder vret Brazilin
Holanda ishte skuadra e parë që siguroi një biletë për gjysmëfinalet e Afrikës së Jugut 2010. “Tulipanët” fituan me shifrat 2-1, duke bërë surprizën e radhës, pasi Brazili kthehet në shtëpi. Njeriu i ndeshjes ishte padyshim Uesli Shnajder, autor i dy golave që përmbysën avantazhin fillestar të seleçaos me rrjetën e Robinjos. Nëse shikoje ndeshjen, nga i papritur, rezultati final mund të cilësohet i bujshëm. Në fakt, pjesa e parë është dominuar e gjitha nga skuadra e drejtuar prej Karlos Dungës, që e tërhequr nga i zakonshmi Robinjo ka bërë gabimin që nuk mbylli virtualisht ndeshjen kur kishte mundësi. Përgjatë gjithë 45 minutave, Holanda e ka parë veten me shpatulla pas murit dhe “gongu” i pushimit mes pjesëve e ka shpëtuar, pikërisht në momentin kur dukej se nuk po arrinte të mbahej më në këmbë. Gjithçka ndryshon në fraksionin e dytë të lojës. Brazilianët bëjnë harakiri: mesfushori Felipe Melo i bën një “dhuratë” të dyfishtë “portokallinjve”: më parë me një gol në portën e tij dhe më pas ndëshkohet me kartonin e kuq, duke lënë “seleçaon” në inferioritet numerik. Ndeshja, që ashtu si parashikohej, ishte e bukur, emocionuese dhe mjaft intensive, u përmbys pikërisht prej këtyre dy episodeve. Holanda, që historikisht ka qenë një skuadër e bukur në fushë, madje e jashtëzakonshme, por mjaft problematike, në këtë sfidë nuk u shfaq spektakolare, por arriti të merrte një rezultat të madh. Të besuarit e Bert van Marvijk kualifikohen në gjysmëfinale dhe kanë një mundësi reale që të fitojnë titullin. Në anën tjetër, Brazili i Dungës paguan rastet e shpërdoruara dhe gabimet difensive të repartit, që dukej se jepte më tepër siguri.
Të dyja skuadrat zbresin në fushë me formacionin 4-2-3-1, por janë brazilianët ata që e nisin vrullshëm ndeshjen. E udhëhequr nga Robinjo, “seleçao” zhbllokon rezultatin vetëm pas dhjetë minutave lojë, ndërsa pak çaste më parë atyre u ishte anuluar një gol për pozicion jashtë loje. Sulmuesi i Mançester Sitit gjeti rrugën e rrjetës pas një pasimi perfekt të Felipe Melos dhe duke shfrytëzuar rreshtimin e gabuar të mbrojtjes kundërshtare nuk e ka të vështirë të mposhtë Stekelenburg. Brazili fiton besim, ndërsa Holanda humbet toruan dhe nuk arrin të reagojë. Sulmi verdhejeshil bën pothuajse çfarë të dojë me mbrojtjen e “tulipanëve”, që përpara fillimit të ndeshjes humbi shërbimet e Matijsen pas një dëmtimi muskulor. Gjithsesi, ata nuk arrijnë të shfrytëzojnë rastet e krijuara me Kaka dhe Zhuan. Me avantazhin 1-0 të “seleçaos”, që në disa momente u shfaq spektakolare, u mbyll edhe pjesa e parë e ndeshjes. Por, 45 minutat e dyta nisin me barazimin e papritur të holandezëve. Pas një harkimi nga e djathta të Shnajder, Zhulio Sezar dhe Felipe Melo i prishin punë njëri-tjetrit, ndërsa mesfushori i Juventusit e devijon topin aq sa mjafton ta dërgojë në portën e tij. Në këtë mënyrë, në minutën e 53, Brazili shkatërron gjithçka që kishte ndërtuar. Kjo për faktin se barazimi ndryshoi rrjedhën e lojës: Holanda merr zemër dhe kontrollon ritmin e lojës, ndërsa skuadra e Dungës vuan goditjen. Latinët kujdesen më shumë të mbajnë nën kontroll Roben, por është sërish Shnajder ai që gjen golin. Në zhvillimet e një goditje këndi, organizatori gjendet i zbuluar në zonë dhe e dërgon topin në rrjetë. Goditja fatale për “seleçaon” vjen në minutën e 73, kur Felipe Melo humbet qetësinë dhe shkel Robenin që ndodhej i shtrirë në fushë. Gjyqtari japonez, Nishimura, nuk heziton dhe e nxjerr nga loja me karton të kuq. Në inferioritet numerik, Brazili kërkon dëshpërimisht të barazojë, ndërsa Holanda shpërdoron raste të pabesueshme me Kuijt e Huntelar, por rezultati 2-1 i mjafton të kalojë në gjysmëfinale.