Gjithë problemin e kanë me korrupsionin
Sali Berisha kur erdhi në pushtet në vitin 2005, kishte si sloganin e tij kryesor, pikërisht luftën kundër korrupsionit. Por, tashmë kjo fjalë e tremb më shumë atë dhe mbështetësit e tij.
Gjatë një emisioni të djeshëm mbi etikën dhe fyerjet, deputeti demokrat dhe njëkohësisht ministër Kulture, Aldo Bumçi, nuk bënte gjë tjetër veçse fliste mbi atë që në media nuk duhet folur për korrupsionin.
Edhe pse tema e emisionit ishte krejt tjetër, Bumçi sa herë fliste, shprehej se përmendja e korrupsionit e bën shumë agresive shoqërinë, ndaj nuk duhet folur për të. Sipas Bumçit, nuk duhet që vend e pa vend të bëhen akuza për korrupsion. Kjo, pasi sipas tij, korrupsioni është një fenomen jo shumë i gjerë në Shqipëri, siç e trajton media. Dhe e përsëriste gjithë kohës këtë gjë. Pse media dhe pse opozita flet për korrupsionin?
Si duket Bumçin dhe të tjerët i shqetësojnë shumë akuzat për fëmijët e kryeministrit Berisha, që përmenden vetëm si sekserë, Gërdeci, ku sërish djali i kryeministrit është përfshirë në një aferë korruptive, rruga Durrës-Kukës, ku u vodhën qindra milionë euro, privatizimet, duke nisur që nga ky i fundit i Alpetrol, blloku i Ilir Metës, që shkaktoi edhe 21 janarin, Damir Fazilliç etj.
E pra, kur flet për këta njerëz dhe për ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në këtë vend, nuk mund të flasësh për korrupsionin. Sepse ato të gjitha kanë lidhje me korrupsionin. Kjo gjë e shqetëson shumë këtë mazhorancë.