Gjithë sytë nga Londra
08/03/2005 Është vështirë të thuash se në këtë takim do të përballen Çelsi-Barcelona apo Hoze Murinjo me Frenk Rajkard. Të dyja këto skuadra janë përfolur shumë kohët e fundit për investimet e mëdha që kanë bërë për rekrutimin e lojtarëve më cilësorë në të gjithë botën. Në fakt gjëja e përbashkët që i përafron të dy këto formacione janë kryesimi në renditjen e kampionateve respektive. Megjithatë në Evropë është Barcelona, e cila niset në avantazh, pasi ka mposhtur londinezët në takimin e parë me rezultatin 2-1. Ka qenë një takim, i cili është mbushur me polemika të shumta si pasojë e disa pakënaqësive të shfaqura nga ana e trajnerit të bluve Hoze Murinjo. Ai, pas ndeshjes, ka bojkotuar sallën e konferencës së shtypit bashkë me lojtarët e tij në shenjë proteste kundrejt pretendimit se Frenk Rajkard kishte biseduar me gjyqtarin Anders Frisk gjatë intervalit të pjesës së parë. Për këtë përfaqësuesit e klubit londinez i kanë dërguar edhe një ankesë në formë zyrtare autoriteteve të UEFA-s. Episodi kyç i takimit ka qenë ndëshkimi me kartonin e dytë të verdhë e Drogba si pasojë e një faulli të shkaktuar në dëm të portierit Valdez. Pas përmbysjes së madhe në “Kamp Nou” me anë të Maksi Lopez dhe Samuel Eto, pritet që trajneri holandez të ndërtoj një skuadër supersulmuese. Eto vazhdon të ruaj një formë të shkëlqyer duke shënuar edhe një gol në kampionat që i dha fitoren e çmuar Barcelonës në transfertën me Osasunën. “Ne gjithmonë na ka pëlqyer që të shënojmë sa më shumë gola, por gjëja më e rëndësishme për ne është loja e zhvilluar, ka thënë Rajkard. Nuk mund ta krahasojmë kurrësesi takimin në kampionat me sfidën e luajtur kundër Çelsit. Kjo e sotmja ka për të qenë krejt tjetër”. Mungesa kryesore e katalanasve do të jetë mbrojtësi meksikan Rafael Markez si pasojë e një tërheqje muskulore. Ndërsa mesfushori francez Ludovik Zhuli është grumbulluar me skuadrën, pasi ka arritur të rekuperohet plotësisht në një kohë rekord. Nga ana tjetër blutë e Londrës ndihen më të sigurt, pasi ndeshja do të zhvillohet në “Stemford Brixh”. Dyshimi i vetëm është anësori holandez Arjen Roben. Sipas burimeve të klubit Roben mund të aktivizohet për pak minuta në këtë sfidë të rëndësishme, edhe pse ka pësuar një thyerje në kockën e këmbës. Prezenca e tij do të jetë vendimtare për Çelsin, sidomos pas mungesës së Didier Drogba, i cili është i skualifikuar. Po ashtu, trajneri Murinjo ka bërë të ditur se kapiteni Xhon Terri, Klod Makelele dhe anësori Damien Daf, të cilët edhe pse kanë pësuar dëmtime të lehta në takimin me Noruiçin, do të jenë të gatshëm për Barcelonën. “Në Barcelona fitoi skuadra, e cila luajti më mirë, ka thënë Murinjo. Por, nuk duhet harruar se ata menaxhuan rezultatin vetëm atëherë kur ne gjendeshim në inferioritet numerik”.
Liga e Kampioneve:
Sot
Çelsi – Barcelona (1:2)
Milan – Man.Junajtid (1:0)
Lion – Verder (3:0)
Nesër
Juventus – Real Madrid (0:1)
Leverkusen – Liverpul (1:3)
Monako – PSV (0:1)
Arsenal – Bajern (1:3)
E martë 15 mars
Inter – Porto (1:1)
Liga e Kampioneve:
Sot
Çelsi – Barcelona (1:2)
Milan – Man.Junajtid (1:0)
Lion – Verder (3:0)
Nesër
Juventus – Real Madrid (0:1)
Leverkusen – Liverpul (1:3)
Monako – PSV (0:1)
Arsenal – Bajern (1:3)
E martë 15 mars
Inter – Porto (1:1)