E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithmonë e më të varfër, ja arsyet pse rritja e pagave nuk e shuan urinë

Qeveria i rriti 80 për qind krahasuar me vitin 2005

Ervin Koçi

Mendojmë se paguhemi më shumë nga tre vite më parë? Gabohemi! Në fillim duhet të shikojmë me kujdes se sa para shpenzojmë për të blerë të njëjtat gjëra që kemi blerë edhe para tre vitesh, e më pas të llogarisim se sa para na mbeten në fund. Qetësimi i përkohshëm i inflacionit dhe rritja e trumbetuar me të madhe nga qeveria për pagat gjatë fillimit të këtij muaji nuk i ka qetësuar aspak konsumatorët shqiptarë. Edhe pse buxhetorëve të ardhurat që marrin bruto nga shteti iu shtuan me disa për qind, ata që tani kanë nisur të mendojnë për fundvitin. Në këtë periudhë shtrëngohet më tepër litari, ku çmimet e ushqimeve rriten duke arritur kulmin, bashkë me to edhe nafta, qiratë, çmimi i energjisë dhe gazit, ai i transportit, si dhe inflacioni. Ndërkohë, qeveria shqiptare rritjen e pagave e krahasoi me pagat e para tre viteve (viti 2005). Duke përdorur një metodë të vjetër krahasimesh, ku përzgjedh atë që do dhe lë mënjanë treguesit e tjerë realë, me të cilët janë të lidhur ngushtë pagat, qeveria del në përfundimin se mesatarisht kemi një rritje pagash që shkon deri në 80 për qind krahasuar me tre vite më parë. Ky do të ishte një luks mjaft i madh për shqiptarët, pasi nuk do të dinin ku t’i vinin paratë e rrogës. Por në të vërtetë, veç pagave që në vlerë monetare kanë pësuar këtë rritje, kanë ndryshuar në krahasim me vitin 2005 edhe çmimet e konsumit, të cilat janë rritur vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti me rreth 20 për qind.

Çfarë na është rritur...?

Vetëm gjatë muajit qershor, kohë në të cilën, sipas INSTAT-it, “inflacioni dremiti disi”, çmimet në disa ushqime shënuan një rritje, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, “bukë e drithëra" me 1.2 për qind, “peshk”, 0.3 për qind, “mish” 0.1 për qind "sheqer, reçel e ëmbëlsira" 0.5 për qind” etj. Por një pjesë e këtyre për të mos thënë që të gjitha, duhet thënë se janë ushqime bazë. Kështu drithërat por dhe çmimet e karburantit, janë bazë për ekonominë familjare shqiptare, pasi ndikojnë direkt xhepin tonë. Për më tepër fuqia blerëse në bazë të llogarive ka rënë së paku me 17 për qind. Inflacioni për herë të parë pas mjaft kohësh nisi në fundin e vitit të kaluar të rritej dhe arriti në muajin prill në 4,6 për qind nga rreth 2,5 për qind që ishte. Domethënë ai i u dyfishua. Edhe pse pësoi rënie me 0.2 për qind, niveli i inflacionit vazhdon të mbetet i lartë, gati 1 për qind më shumë nga norma e lejuar nga Banka e Shqipërisë. Rritja e çmimit të naftës ka dhënë kontributin e saj negativ te sektorët e tjerë, me të cilët konsumatori haset më shpesh. Kështu, sektori "Transport" ka shënuar një rritje prej 4 për qind, duke pasur një ndikim prej 0.2 për qind në totalin e ndryshimit mujor të çmimeve. Gjatë muajit qershor, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 6.8 për qind dhe çmimi i benzinës në rritje prej 4.6 për qind. Çmimet e transportit urban gjatë këtij muaji u rritën me 25.8 për qind, ndërsa çmimet e transportit interurban u rritën me 3 për qind. Por çmimet e karburanteve janë rritur me 50 për qind në pak muaj dhe kjo ka bërë që veç tyre të rriten edhe kostot e shumë shërbimeve dhe produkteve të tjera që dashur pa dashur kanë lidhje me historinë e “arit të zi”. Pra e thënë ndryshe jetesa na është shtrenjtuar duke na u vështirësuar dhe jo lehtësuar, ashtu siç do të donim. Këtë e tregon dhe raporti më i fundit i BSH-së, i cili nuk na ka zbritur deri në vitin 2005, por na uli vetëm një vit më parë, pra në 2007-n. Sipas tij, në raport me nj vit më parë ne sot shpenzojmë deri në 39 për qind më shumë nga të ardhurat tona të përditshme, për të siguruar dhe për të blerë të njëjtat ushqime dhe shërbime. Këto janë disa prej elementeve që duhet të merren parasysh, kur bëhen këto krahasime.

Sa janë rritur pagat?

Sipas llogarive të bëra nga specialistë të ekonomisë, pagat e reja në Arsim dhe në Shëndetësi, por dhe në sektorë të tjerë të punonjësve buxhetorë nuk janë rritur më shumë se 25 për qind. Pagat që janë sot me vendimet e reja të qeverisë nga 1 korriku 2008, vërtet janë 80 për qind më të larta në krahasim me vitin 2005, por në verë jo. Kjo do të ndodhte vetëm në rast se sot do të kishim të njëjtët tregues në çmime si në vitin 2005. Veç çmimeve këtu duhet llogaritur edhe një numër i madh treguesish, që nisin që nga niveli i konsumit, niveli shitjeve, indeksi i çmimeve të konsumit, të prodhimit etj., pa harruar edhe ryshfetin që është sistem pune ngado. Krahasimet me vite të shkuara sjellin në vëmendje krahasime të kritikuara ashpër dhe me të drejtë që i bënte administrata e socialistëve dikur, kur i referohej të dhënave vetëm për vitin 1997 (kohë kur zbritën në katin -2) dhe fliste për ato të vitit 2005. Po t’i referohemi edhe historisë, më herët këtë taktikë e përdorte dhe qeveria komuniste e diktaturës, kur gjithmonë gjithçka e krahasonte me vitin 1938.

Rroga e mësuesve

Të gjithë punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar do të marrin paga 14 për qind më të larta që prej 1 korrikut të këtij viti. Dakord. Qeveria shqiptare njoftoi para pak kohësh se ajo kishte vendosur që paga e arsimtarit të shkollës nëntëvjeçare të bëhet 41.847 lekë që prej kësaj date, duke qenë rreth 6 mijë lekë me e lartë se më parë. Pagat e mësuesve të shkollave të mesme do të bëhen 45.055 lekë, duke u rritur edhe ato me rreth 14 për qind. Lidhur me këtë kryeministri, Sali Berisha, tha në mbledhjen e qeverisë se ajo po mban premtimet e dhëna dhe se deri vitin që vjen ajo do t’i ketë dyfishuar pagat në krahasim me vitin 2005. Kryeministri tha gjithashtu se “paga mesatare për të gjithë punonjësit buxhetorë në vend është rritur nga 27.336 lekë në vitin 2005 në 42.439 lekë në muaj në vitin 2008, një rritje prej 55 për qind”. Kjo është rritja e pagës mesatare të administratës publike në tërësi, por kjo rritje pagash krahasuar me vitin 2005 nuk merr parasysh nivelin e inflacionit dhe të indeksit të çmimeve të konsumit. Në rritjen e pagave të miratuar nga qeveria kanë përfituar të gjithë punonjësit buxhetorë, por ata me pagat më të larta dhe ata me pagat më të ulëta janë ata që do të përfitojnë më pak. Kësisoj, punonjësit me paga të ulëta do të kenë një pagë shtesë prej vetëm 7 për qindësh në disa kategori dhe deri në 15 për qind për kategori të tjera. E njëjta vlerë e re page shtesë do të jetë edhe për punonjësit me pagat të larta, të cilët do të përfitojnë një rritje prej 74 për qind.

Rroga e mjekëve

Kategoria e punonjësve që do të përfitojnë më shumë rritje page do të jenë punonjësit e sistemit shëndetësor. Dymbëdhjetë mijë infermierë dhe 4700 mjekë do të përfitojë një pagë të re 15 për qind më të lartë sesa ajo e deritashmja. Pagat e infermierëve të spitaleve të qendrave universitare do të jenë që pas 1 korrikut të këtij viti 29.061 ose 15 për qind më të mëdha, duke u rritur me rreth 3.700 lekë. Pagat e infermierëve të qendrave shëndetësore në rrethe do të jenë 26.534, duke u rritur me rreth 3.500 lekë. Të gjithë infermierët e qendrave spitalore në rreth do të marrin një pagë të re prej 24.300 lekësh që prej 1 korrikut. Mjekët në qendrat spitalore universitare do të marrin një pagë prej 39.700 lekësh, duke përfituar kështu 15 për qind më shumë sesa para 1 korrikut. Edhe mjekët e sistemit të qendrave shëndetësore të rretheve do të kenë paga 15 për qind më të larta dhe do të marrin saktësisht 39.700 lekë. Mjekët e qendrave spitalore në rrethe do të marrin një pagë prej 37.000 lekësh. Qeveria ka rritur edhe pagat e punonjësve të doganave dhe të tatimeve, si edhe atyre të ministrive, por vetëm me 7 për qind.

BOX/////////////////////////////////
Krahasimet e pagave të reja me ato të vitit 2005

Qeveria shqiptare është kujdesur që ta krahasojë rritjen e pagave me rreth 15 për qind për punonjësit buxhetorë, me nivelin e vitit 2005. Kësisoj, sipas këtyre të dhënave, paga mesatare për të gjithë punonjësit buxhetorë në vend është rritur nga 27.336 lekë në vitin 2005 në 42.439 lekë në muaj në vitin 2008, një rritje prej 55 përqindësh. Kjo është rritja e pagës mesatare të administratës publike në tërësi. Paga mesatare për punonjësit e institucioneve në varësi të ministrive apo institucioneve të tjera, për 46.939 punonjës, është rritur nga 31.275 lekë në muaj në vitin 2005, në 45.000 lekë në vitin 2008, apo 50 për qind më e lartë në vitin 2008, krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare për punonjësit e arsimit parauniversitar, për 36.288 arsimtarë, është rritur nga 23.100 lekë në muaj në vitin 2005, në 45.300 lekë në vitin 2008, ose rreth 75 për qind më e lartë në vitin 2008, krahasuar me vitin 2005. Paga mujore e arsimtarit me shkollë të mesme është rritur nga 20.068 lekë në muaj në vitin 2005, në 35.013 lekë në muaj në vitin 2008, me një rritje prej 75 për qind. Paga mujore e arsimtarit të shkollës tetëvjeçare është rritur nga 23.665 lekë në vitin 2005, në 41.847 në vitin 2008, ose një rritje prej 77 për qind. Paga mujore e arsimtarit të shkollës së mesme është rritur nga 26.240 lekë në vitin 2005 në 45.055 lekë në vitin 2008, ose një rritje prej 72 për qind. Paga mujore për infermierët është rritur nga 15.044 lekë në muaj në vitin 2005, në 28.564 lekë në vitin 2008, ose 89 për qind më e lartë se në vitin 2005. Paga mujore e infermierit në qendrat spitalore universitare është rritur nga 16.150 lekë në vitin 2005, në 29.061 lekë në vitin 2008, një rritje prej 80 për qind, krahasuar me vitin 2005. Paga mujore për infermierët në qendrat e shëndetit publik është rritur nga 14.500 lekë, në 26.534 lekë në vitin 2008, me një rritje prej 83 për qind. Paga mujore e infermierit në qendrat spitalore në rrethe është rritur nga 13.500 lekë në vitin 2005 në 24.300 lekë në vitin 2008, me një rritje prej 80 për qind. Paga mesatare për rreth 3 mijë mjekë, është rritur nga 22.683 lekë në muaj në vitin 2005, në 41.700 lekë në muaj, ose rreth 84 për qind më e lartë se në vitin 2005.

Të tjerë//////////////////////////
Mbushet buxheti, qeveria u përlan me taksa mbi 1.8 miliardë lekë buxhetorëve

Rritja e taksës mbi të ardhurat personale “taksa e sheshtë”, u ka kushtuar punonjësve të shtetit 1,7 miliardë lekë më pak në xhepat e tyre ose rreth 20 milionë dollarë. Unifikimi i taksës me 10 për qind, nga 6 për qind që ishte mesatarja e mëparshme, e cila aplikohej për pagat e buxhetorëve, ka sjellë të ardhura tepër të larta për arkën e shtetit, në një masë që shkon deri në 71 për qind. Shifrat i përkasin vitit 2007, ku si pasojë e rritjes së taksës për pjesën e dytë të vitit, rreth 105 mijë buxhetorë kanë marrë më pak të ardhura sesa në pjesën e parë. Në këtë mënyrë na del se shteti me një dorë i jep paratë dhe me dhjetë i merr, ose “rruar qethur”. Mesatarja e rritjes së pagës mujore nuk shkon më shumë se 15 për qind, ndërsa efekti në buxhet llogaritet rreth 40 milionë dollarë. Nëse qeveria arriti që për njërën pjesë të vitit të vilte 20 milionë dollarë më shumë si efekt i taksës së rritur, për të gjithë vitin, shuma shkon në 40 milionë dhe përfundimi del aty ku ishim në fillim. Rritja e pagave do të plotësojë detyrimin që kanë buxhetorët ndaj "taksës së sheshtë", ndërsa diferenca e mbetur do të shkojë për të "luftuar" çmimet e larta në treg.
Situata me këto të fundit është tepër e rënduar, me një inflacion të rritur deri në 4,4 për qind. Aplikimi i taksës solli pasoja të rënda për ekonominë e punonjësve të shtetit, ndërsa për arkën e shtetit të ardhurat u rritën akoma më shumë. Ministria e Financave ka dorëzuar në dy ditët e fundit pranë Kuvendit të Shqipërisë, raportin e Buxhetit Faktik për vitin 2007, ku ndër të tjera flet edhe për nivelin e realizimit të të ardhurave, duke bërë edhe analizën përkatëse.

Taksa e sheshtë, “berberi” i administratës publike

Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për vitin 2007 u realizuan në masën 14.8 miliardë lekë ose 6,3 miliardë lekë më shumë se viti 2006. Rritja e të ardhurave i dedikohet kryesisht rritjes së taksës me 10 për qind, e cila aplikohej mbi pagën e buxhetorëve, kur më parë aplikohej një normë që nuk shkonte më shumë se 5 për qind. Në një dokument të përgatitur nga Ministria e Financave, thuhet ekzaktësisht se, "taksa e sheshtë" do t‘u sjellë avantazhe punonjësve me paga të larta, por mbi të gjitha atyre që punojnë te privati, duke i stimuluar që të deklarojnë pagën reale në shtet. Në fakt, rezultati që priste qeveria doli krejt ndryshe. Nga rritja e taksës mbi të ardhurat personale kanë përfituar vetëm 600 buxhetorë, pagat e të cilëve konsiderohet të larta, ndërsa pjesa e mbetur prej rreth 105 mijë vetëve, kanë pësuar humbje në pagë. Në raportin e ministrisë thuhet se, "peshën kryesore të rritjes e mbajnë të ardhurat nga tatimi mbi pagat të të punësuarve në sektorin publik, me 1,8 miliardë lekë ose 71 për qind më shumë se viti 2006". Ndryshe nga sa priste qeveria, sektori privat ka kontribuar më pak te niveli i të ardhurave nga taksa që aplikohet mbi pagën mujore. Për vitin që lamë pas, pagat e punonjësve të sektorit privat kanë sjellë 1,5 miliardë lekë për buxhetin e shtetit ose 300 milionë lekë më pak se punonjësit në shtet, kur në fakt, realiteti tregon krejt të kundërtën. Paga mesatare te privati është 60 mijë lekë në muaj, ndërsa në shtet 35 mijë lekë, ndërsa raporti i të ardhurave nga zbatimi i "taksës së sheshtë" paraqitet ndryshe.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›