Janar-qershor, importet e larta rrisin të ardhurat në dogana
Mungesa e theksuar e prodhimit vendas, e cila bën që të mos plotësohen kërkesat e konsumatorit, ka bërë që të rriten shumë importet, në një masë të tillë sa që kanë rritur ndjeshëm edhe të ardhurat në dogana. Kjo gjë konfirmohet nga të dhënat zyrtare që i referohen 6-mujorit të parë të vitit 2008 (janar-qershor), ku janë importuar mallra me vlerë rreth 166.996 milionë lekë. Sipas të dhënave zyrtare, të publikuara së fundi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, gjatë muajit maj u shënua dhe vlera më e lartë e mallrave të importuara, duke arritur në 36.625 milionë lekë. Bazuar në këto të dhëna rezulton se pesha neto e mallrave të importuara drejt Shqipërisë gjatë periudhës janar-maj arriti në 1.858 494 tonë mallra. Importet e mallrave nga vendet e Bashkimit Europian, referuara të dhënave të mësipërme, arritën në 101.754 milionë lekë, duke zënë 60.9 për qind të totalit të mallrave të importuara gjatë 5 mujorit të parë të vitit. Ndërsa nga vendet që nuk përfshihen në BE, gjatë periudhës janar-maj të këtij viti, u importuan 65.242 milionë lekë ose 39.1 për qind e totalit të importeve. Administrata doganore arkëtoi në buxhetin e shtetit 47 miliardë e 993 milionë lekë gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti.
Burime zyrtare të DPD-së deklaruan se, shërbimi doganor realizoi planin e të ardhurave për 6-mujorin e parë të vitit 2008 në masën 105 për qind, duke arkëtuar 2 miliardë e 366 milionë lekë më shumë se plani. Burimet thanë se krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar, administrata doganore realizoi të ardhurat në masën 115 për qind, pra 15 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose 6 miliard e 147 milionë lekë më shumë. Në 6 muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare, u arritën rezultate pozitive edhe në zhdoganimin e mallrave të akcizës. Sipas këtyre të dhënave, gjatë periudhës janar-qershor u zhdoganuan 178 mijë e 530 mijë tonë karburante, thuajse sa e njëjta periudhë e një viti më parë, kur u zhdoganuan 177.681 tonë, me një rritje prej 849 tonë karburante. Po kështu u zhdoganuan 3 mijë e 45 tonë kafe, me një rritje prej 5 për qind ose 135 tonë më shumë se 6-mujori 2007. Me rritje prej rreth 30 për qind rezultoi edhe zhdoganimi i cigares, ku gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti u zhdoganuan 1 mijë e 841 tonë cigare, me një rritje prej 30 për qind ose 422 tonë cigare më shumë se 6-mujori 2007.
10 Korrik 2008