E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithmonë krenar me Aliun

Miq, kolegë dhe familjarë të aktorit të ndjerë, Ali Ahmeti, ia dhanë përshëndetjen e fundit në një mbledhje komemorative të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ndërkohë që, në mesditën e së martës, në varrezat e qytetit në Prishtinë, u bë edhe varrimi i aktorit.

Një minutë duartrokitje nuk ishte diçka që jemi mësuar të shohim përderisa dikë e nderojmë për herë të fundit. Por, kësaj radhe bëhej fjalë për të veçantin e skenës.

Për të fundit herë, familjarë, aktorë dhe miq të aktorit të madh të komedisë, Ali Ahmeti, u bënë bashkë në një mbledhje komemorative në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Disa ndanë momente dhe pak fjalë për të dashurinë e tyre, të cilat nga pikëllimi herë dilnin e herë jo.

Sabri Fejzullahu, koleg dhe mik i Ahmetit, me gjysmë zëri i tha pak fjalë, duke kujtuar aty-këtu edhe ndonjë çast të kaluar me Aliun.

Por, Fejzullahu nënvizoi se derisa po fliste për mikun e tij të vdekur nuk mund të aktrojë, derisa nuk mundte ta fshihte pikëllimin për njeriun me të cilin u shfaq shpesh në skeçet e viteve të 90’a. Nuk mundi as të dialogonte me të, siç ishte mësuar, sepse në dërrasat e Teatrit Kombëtar nuk e kishte më pranë Aliun. Fejzullahu nuk foli gjatë, megjithëse tha shumë.

“i lumi ai, sa shpirtbardhë ka qenë”, përfundoi Fejzullahu.

Pas tij fjalën e mori edhe drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Burbuqe Berisha, e cila për Ahmetin tha ta ketë shkruar me shkronja të arta historinë e teatrit që ajo e drejton, së bashku me kolegët me të cilët interpretoi.

“Ali Ahmeti i takon një gjenerate që me shumë mund e krijoi rrugën të cilën duhet ta vazhdojmë ne”, u shpreh Berisha. “TKK do të jetë gjithmonë krenar që e pat Aliun”, shtoi ajo.

Ndërkohë që zëvendësministri i Kulturës, Hajdin Abazi, theksoi se ishte njëri nga ata që u mundua të ngritnin nivelin e artit dhe të kulturës sonë, e sidomos të komedisë.

“Në çdo rol e kemi parë të buzëqeshur. Ai jetoi dhe bashkëjetoi me një varg personazhesh, të cilat sigurisht se do të mbahen mend, në veçanti ato të zhanrit të komedisë”, tha zëvendësministri Abazi.

Mirëpo ai që e bëri edhe më të pikëlluar secilin t pranishëm në mbledhjen komemorative ishte fjalimi i të birit të Ali Ahmetit. Shpend Ahmeti, kujtoi disa momente të bukura të kaluara me të atin, por me emocion të jashtëzakonshëm, saqë mezi arrinte t’i shqiptonte fjalët, duke ndarë kështu me çdo të pranishëm pjesë, fragmente dhe histori që ndërlidheshin me jetën e aktorit të ndjerë. Ai kujtoi disa momente të bukura, të cilat ia, siç tha, ia kujtonin buzëqeshjen e të atit, ndonëse ajo buzëqeshje tani po e bënte me vaj.

Me një këngë të interpretuar nga kolegët e gjeneratës së re të aktorëve kosovarë u përmbyll mbledhja kushtuar aktorit Ahmeti. E pas, saj, në mesditën e së martës, u bë edhe varrimi i të ndjerit, në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›