Vepra 100-vjeçare e Joklit
Ende pa u konsoliduar mirë si shkencë, albanologjia ka qenë fushë me të cilën janë marrë kryesisht të huajt. Për gjuhën shqipe kanë shkruar një numër i madh gjuhëtarësh. Një ndër ta është edhe albanologu austriak Norbert Jokl, vepra e të cilit u promovua të martën në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. “Studien Zur Albanesischen Etymologie Und Wortbildung” (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin shqip) konsiderohet jo vetëm vepra më e rëndësishme e albanologut Jokl, por edhe një prej librave më të mirë të fushës së etimologjisë dhe fjalëformimit.
Në promovimin e librit folën Besim Bokshi, kryetar i ASHAK-ut, Rexhep Ismajli, gjuhëtar nga Kosova, si dhe Kolec Topalli dhe Seit Mansaku, të dy gjuhëtarë nga Shqipëria.
Besim Bokshi tha më këtë rast se kjo vepër dhe përkthimet tjera që janë botuar nga Akademia u ofrojnë ndihmë studiuesve tanë të ri të shqipes, duke ua sjellë të përmbledhura studimet e këtyre albanologëve të publikuara nëpër revista shkencore të kohës, që është vështirë të gjenden.
“Sot botimi dhe promovimi i këtij libri shqip e gjermanisht, në 100 vjetorin e publikimit të parë në gjuhën gjermane, kërkon një solemnitet me të cilin edhe koha jonë i shpreh mirënjohje Norbert Joklit, që pjesën më të madhe të kohës së tij shkencore ia fali trajtimit të gjithanshëm të çështjes së shqipes, e që la në trashëgim gjithë atë lartësi të trajtimit shkencor të gjuhës sonë. Kjo mirënjohje do të fuqizohet me botimin e gjithë veprës së tij për shqipen”, tha Bokshi. Ai shtoi se me këtë veprimtari Akademia e shpreh respektin e saj ndaj kontributit të këtyre studiuesve në zhvillimin e mendimit shkencor për shqipen.
Sipas tij, vrasja e Joklit nga nazistët në vitin 1942, ishte një fatkeqësi e rëndë për studimet albanologjike, e bashkë me të edhe fatkeqësia e humbjes së fjalorit etimologjik të tij të shqipes, për të cilin ai punoi tërë jetën me zell.
“Norbert Jokli në studimet e tij albanologjike erdhi si askush para tij, zotërues i gjithë problematikës studimore të gjuhës shqipe, duke zgjeruar e thelluar esencialisht njohjen gjuhësore të shqipes”, tha Akademik Bokshi.
Ndërkaq, Akademik Rexhep Ismajli tha se në historinë e studimeve gjuhësore për shqipen vepra e dijetarit austriak Norbert Jokl zë vendin e një nyje të veçantë. Ai shtoi se bota shqiptare ka bërë përpjekje për respektimin e figurës dhe veprës së Joklit.
“Në organet shkencore herë pas here janë botuar studime të veçanta të tij, edhe studime nga dorëshkrimet e pabotuara. Në Konferencën Ndërkombëtare me rastin e 30-vetorit të vdekjes së Joklit në Insbruck të Austrisë morën pjesë me kumtesa delegacionet nga Shqipëria dhe nga Kosova”, tregoi Ismajli. Ai shtoi se vepra dhe idetë e tij në albanistikë janë përhapur sidomos përmes Eqrem Çabejtë, por asnjëherë nuk është botuar ndonjë vepër e plotë apo përmbledhje studimesh, gjithsesi të domosdoshme për çdo albanolog.
“Vepra e parë e madhe e Joklit ishte kjo që po botojmë tani ‘Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin shqip’. Në të ai kishte inauguruar vështrimin etimologjik që merrte parasysh tërësinë e zhvillimeve të leksikut. Kishte privilegjuar etimologjinë dhe historinë e fjalës, por burimin etimologjik synonte ta mbështeste në një pamje sa më të plotë të saj, të formimit dhe të historisë së fjalës në të gjitha zhvillimet”, tha Ismajli. Sipas tij, Norbert Jokl në studimet e tij kishte bërë kthesën e madhe që shqipen ta shihte në radhë të parë nga brenda dhe jo më vetëm nga aspekti i raporteve të saj me gjuhët tjera.
Botimin e kësaj vepre Akademiku Kolec Topalli e konsideroi të një rëndësie të veçantë dhe me vlera të mëdha. Për këtë arsye ai e vlerësoi interesimin dhe punën e ASHAK-ut, duke e konkretizuar me emrat e gjuhëtarëve më të mëdhenj të dy shekujve të fundit. Ai tha se në kohën kur u botua kjo vepër, tashmë ishin skicuar vijat kryesore të studimit historik të shqipes, si një gjuhë e familjes indoevropiane me një rrugë të veçantë zhvillimi. “Por tezat e mësipërme kishin nevojë për mbështetje të reja, për argumentime më të plota, për studime më të thelluara. Këtë e bëri Jokli me gjuhëtarë të tjerë që punuan në të njëjtën kohë, me artikuj studimorë e vepra të plota, njëra nga të cilat është edhe kjo që po paraqitet sot”, tha Topalli.
Gjuhëtari tjetër nga Shqipëria, Seit Mansaku, e falënderoi dhe e përgëzoi Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës për nismën që ka ndërmarrë që prej disa vitesh për të sjellë në shqip dhe gjuhët përkatëse trashëgiminë albanologjike të së kaluarës dhe të sotmes që na kanë lënë dhe vazhdojnë të sjellin ende studiues të shquar të gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare.
“Botimi i kësaj trashëgimie albanologjike është jo vetëm një akt i vërtetë qytetarie për të shprehur nderimin dhe vlerësimin tonë për gjithë ata studiues që punuan me përkushtim dhe vunë në shërbim të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare dijet dhe vetitë e tyre intelektuale për të ndriçuar probleme të rëndësishme të historisë së gjuhës shqipe dhe kulturës sonë, por është edhe një punë shumë e dobishme për të krijuar një fond themelor dijesh dhe arritjesh në një masë të domosdoshme ku mund të mbështetet e të qohen përpara kërkimet e brezave të sotëm e të ardhshëm në fushën e shkencave albanologjike”, tha Mansaku.
Vepra “Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin shqip” për herë të parë është botuar në Vjenë në vitin 1911 dhe tani vjen në 100-vjetorin e botimit të saj të parë, përmes përkthimit që ia ka bërë, në vitet e pesëdhjeta, gjuhëtari i njohur shqiptar Eqrem Çabej.