E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithmonë me telashe

Nëse gjithçka shkon në rregull, Administrata Tatimore e Kosovës do të vendosë arkën e parë fiskale më 15 mars në restorantin Rings në Prishtinë.

Por, duket pak e besueshme të jetë kjo data përfundimtare e fillimit të zbatimit të këtij projekti, tashmë të shtyrë për disa herë me radhë.

Express mëson se ATK-së i kanë dalë disa telashe në momentet e fundit. Ende nuk është përgatitur sistemi për transmetimin e të dhënave nga arka e vendosur te bizneset në qendër dhe stafi i laboratorit për certifikimin e pajisjeve elektronike fiskale po e zvarrit certifikimin e këtyre pajisjeve.

Zyrtarët e ATK-së thonë se ky ka qenë një proces i ri, i cili po zhvillohet në Kosovë dhe si i tillë nuk ka qenë aspak i lehtë.

Në vendimin e administratës për specifikimet teknike është kusht që pajisja elektronike fiskale (PEF) të pajiset me një terminal tatimor të jashtëm apo të integruar. Qëllimi i këtij terminali është që të transferojë raportet nga memoria fiskale e PEF-it përmes sistemit komunikues mobil të operatorit GPRS deri te një server i ATK-së. Burimet thonë se ky terminal tatimor ende nuk është funksionalizuar dhe ka gjasë të shtyjë edhe për një kohë tërë projektin.

“Ka qenë e paraparë që në javën e fundit të shkurtit të fillojë implementimi i arkave fiskale, por janë paraqitur këto probleme teknike”, thotë ky burim.

Përveç kësaj, telashe tjetër ATK-së po i paraqet edhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektronike dhe Kompjuterike i përzgjedhur si laborator për certifikimin e pajisjeve elektronike fiskale para se të lejohen të dalin në treg.

“Profesorët e këtij fakulteti duket se nuk kanë parë kurrë pajisje të tilla dhe po u merr kohë derisa të kryejnë punën e tyre”, tregon ky zyrtar i ATK-së.

Në specifikacionin teknik të paraparë nga administrata thuhet se para fillimit të përdorimit, një etiketë e certifikimit, e cila vërteton regjistrimin e saktë të të dhënave dhe mbrojtjen e të dhënave, duhet të vendoset në makinë që tregon datën kur është instaluar ajo dhe instaluesin.

Zëdhënësja e ATK-së, Hava Ademi, thekson se Administrata Tatimore, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, është duke bërë përgatitjet për fillimin e fazës testuese të batimit të projektit për arka fiskale dhe së shpejti do te përcaktohen edhe afatet për implementimin e projektit të arkave fiskale.

“Në ATK është krijuar një divizion i ri, i cili do të mbikëqyrë projektin e implementimit të arkave fiskale nëpër Kosovë. Nëpër secilin regjion është përzgjedh nga një inspektor tatimor, i cili do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e arkave fiskale nëpër regjione”, pohon Ademi.

Sipas saj, deri më tani ky projekt ka kaluar nëpër disa faza dhe është dashur kohë për përgatitjen e legjislacionit dhe përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë për shitjen dhe zbatimin e pajisjeve elektronike fiskale. Për shitjen e këtyre pajisjeve tashmë janë përzgjedhur kompania “Gekos” dhe “Dukagjini”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›