E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoba e Strasburgut, 330 mijë euro kundër Shqipërisë

 
Shtetasi Vlash Marini, pas 15 vjet procesesh gjyqësore me institucionet shqiptare, fiton të drejtën e tij në Gjykatën Evropiane
 
 
STRASBURG- Institucionet shtetërore duket se e kanë shndërruar në traditë, mosrespektimin e ligjit dhe të vendimeve gjyqësore. Këtë e dëshmon një tjetër gjobë, që erdhi dje nga Strasburgu dhe që i faturon 330 mijë euro gjithë taksapaguesve shqiptarë. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut shpalli dje vendimin për çështjen "Marini kundër Shqipërisë", sipas të cilit deklarohet përgjegjës shteti shqiptar për shkelje të të drejtave të individit, të garantuara nga disa prej neneve të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Konflikti që e detyroi shtetasin Marini t'i drejtohet Strasburgut, ka nisur që në vitin 1993 lidhur me mosrespektimin e një marrëveshjeje të nënshkruar midis personit në fjalë dhe ndërmarrjes shtetërore "Nefink", sipas së cilës të dyja palët do të ndërtonin dhe vinin në funksionim së bashku një fabrikë për prodhimin e dyerve dhe dritareve plastike. Ankimuesi kishte bërë në atë kohë edhe një investim prej 228 mijë dollarësh, që i ishin paguar një firme italiane për ndërtimin e pajisjeve të fabrikës.
***
Meqënëse pala shtetërore u tërhoq nga bashkëpunimi në kohën kur punimet ndërtimore ishin në fazën përfundimtare, ankimuesi iu drejtua Gjykatës së Arbitrazhit,e cila në vendimin e saj i dha të drejtë, duke urdhëruar vazhdimin e ndërmarrjes së përbashkët dhe njëkohësisht duke e gjobitur palën shtetërore për mosrespektim të marrëveshjes. Pavarësisht këtij vendimi, pala shtetërore nuk e ka pranuar vazhdimin e bashkëpunimit, madje ajo e shiti edhe objektin e kësaj ndërmarrjeje në vitin 1998. Procesi gjyqësor i nisur kundër Ministrisë së Ekonomisë, AKP-së etj., përfundoi në favor të ankimuesit, duke anuluar kësisoj kontratat e shitblerjes. Megjithatë objekti nuk i kthehet ndërmarrjes së përbashkët, por i jepet me qera afatgjatë një subjekti tjetër privat. Ndërsa vazhdonin proceset gjyqësore për ekzekutimin e vendimeve të mëparshme për kthimin e objektit në favor të ndërmarrjes së përbashkët, pala shtetërore vendos mbylljen e kësaj ndërmarrjeje në rrugë gjyqësore. Në këtë mënyrë ankimuesit i mbyllën të gjitha rrugët për të kërkuar të drejtën e tij si bashkëpronar në atë ndërmarrje të përbashkët, të nisur me marrëveshje që në vitin 1991, por që asnjëherë nuk u kompletua për t'u vënë në shfrytëzim.
***
Gjykata e Strasburgut, duke marrë në shqyrtim pretendimet e ankuesit Marini dhe ato të qeverisë shqiptare, arriti në përfundimin se shteti shqiptar ka shkelur të drejtën e ankuesit për një proces të rregullt gjyqësor për shkak të mosekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit dhe vendimeve gjyqësore, si dhe për shkelje të së drejtës së pronës, duke e detyruar shtetin shqiptar që t'i paguajë ankuesit një dëmshpërblim prej 330 mijë eurosh dhe 5700 euro për shpenzimet gjyqësore. Ky vendim është thjesht i fundit në rradhën e vendimeve të dhëna nga gjykata e Strasburgut në favor të ankimuesve dhe kundër shtetit shqiptar. Më datë 13 nëntor Shqipëria u penalizua me më shumë se 1 milion euro për dy çështje të ndryshme të së njëjtit objekt, pronat.
STRASBURG
Tortura në burg, i dënuari fiton 5 mijë euro
STRASBURG -I dënuari Ilir Dybeku i fitoi që nga burgu i Peqinit 5000 euro shtetit shqiptar për trajtim çnjerëzor, ndërsa kërkesa për dëmshpërblim i afrohej 1 milion eurove. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut përllogariti tërësinë e pasojave të pësuara nga aplikanti për shkak të kushteve të papërshtatshme të mbajtjes së tij në burg, gjë që sipas gjykatës ka patur një efekt negativ në shëndetin dhe mirëqënien e shtetasit Dybeku, që vuan prej vitit 1996 nga skicofrenia paranojake kronike. Gjykata mori parasysh edhe raportet periodike të përpiluara nga Komiteti i Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturave (CPT) në lidhje me gjendjen e burgjeve në Shqipëri, duke i kushtuar vëmendje të veçantë të burgosurve me sëmundje mendore, si edhe raportin e Amnisty International të hartuar për respektimin e të drejtave të të burgosurve në vendin tonë. Gjykata e përfundoi vendimin e saj, duke u shprehur se natyra, kohëzgjatja dhe mënyra e papërshtatshme e trajtimit të sëmundjes së aplikantit, si edhe tërësia e pasojave negative për shëndetin e tij janë të mjaftueshme për të pranuar ankimimin e shtetasit Dybeku për trajtim çnjerëzor, gjë që bie ndesh me Nenin 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Qeveria shqiptare fajësohet nga gjykata edhe për mosdhënie të informacionit të detajuar për kushtet në të cilat i burgosuri me sëmundje mendore vuan dënimin. I papranueshëm u konsiderua nga Strasburgu pretendimi i aplikantit për shkelje të Nenit 6 të Konventës, që ka lidhje me gjykimin e drejtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›