E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau për pasion më '91, ekstradohet

 
Interpol Tirana ekstradon nga Italia të dënuarin me 20 vjet burg për vrasjen e Enkelejda Labajt për xhelozi
 
Skënder Dine masakroi 8 herë me thikë vajzën që dashuronte. U arrestua 16 vjet më pas në Itali
Ekstradohet nga Italia një 40-vjeçar i shpallur në kërkim për vrasjen e një vajze. Skënder Dine, 40-vjeç është ekstraduar ditën e djeshme nga Roma e Italisë, pasi Gjykata e Vlorës e ka dënuar atë me 20 vite burgim për veprën penale të "vrasjes me dashje". Ngjarja për të cilën u shpall fajtor Dine daton më 9 janar të viti 1991, kohë kur ndodhi në rrobaqepësinë e qytetit të Vlorës. Asokohe, ai ka qëlluar tetë herë më thikë Enkelejda Labajn, duke shkaktuar panik në qytet. Policia nisi menjëherë hetimet për këtë ngjarje dhe disa kohë më vonë mundi të identifikonte dhe autorin e vrasjes. Skënder Dine kishte mundur të largohej nga Shqipëria dhe të streohej në Itali.
***
Ndërkohë, sipas vendimit të Gjykatës, Dine dhe Labaj kishin qenë në të njëjtën klasë në gjimnaz dhe më pas punonin në të njëjtën ndërrmarrje. Skënder Dine ishte i dashuruar me Labaj, por kjo e fundit kishte filluar të shoqërohej me një djalë me iniciale N.Papagjini. Ditën që ndodhi vrasja, Dine po shkonte në ndërmarrje për të filluar punën, kur është përpallur me Papagjinin të cilit i ka kërkuar të ndalojë. Papagjini nuk ka ndaluar dhe është larguar me shpejtësi. Vetëm pak minuta më vonë Dine ndeshet në ndërmarrje me vajzën që dashuronte, Enkelejda Labaj. Kjo e fundit sapo kishte përfunduar punën dhe po largohej për në banesën e saj. Por sapo ka Dinen ka nisur të debatojë me të.
***
Në atë moment, Labaj u qëllua tetë herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Ajo u transportua menjëherë në spital, por ndërroi jetë gjatë rrugës. Autori i krimit u largua menjëherë dhe identifikimi i tij u krye disa vite më vonë. Ndërsa më 21 dhjetor të vitit 1997, Dine u dënua me 20 vite burgim pasi u shpall fajtor për vrasjen e Enkelejda Labaj. Skënder Dine u arrestua një vit më parë në Firence të Italisë. Mësohet se në Itali i kërkuari lëvizte me dokumenta të falsifikuara dhe në momentin e arrestimit posedonte një pasaportë në emër të Jovan Dines. Pas dyshimeve për identitetin, policia italiane ka bërë verifikimin e shenjave të gishtave, duke i sjellë dje drejtësisë shqiptare të akuzuarin për vrasjen e ndodhur në vitin 1991.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›