E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonat e lira ekonomike mbeten në letër

Pesë kontrata koncesionare janë firmosur nga qeveria, por asgjë nuk ka ndodhur
Afro dy vjet pas lëshimit të kontratave koncesionare nga ana e Këshillit të Ministrave për krijimin e zonave të lira ekonomike, duket se punët nuk po ecin siç duhet, bëjnë të ditur burime nga qeveria. Në periudhën janar-qershor 2008, qeveria shqiptare akordoi gjashtë kontrata për zhvillimin e zonave ekonomike të lira me synimin e përqendrimit të aktiviteteve të ndryshme prodhuese, por duket se këto kontrata po harrohen dalëngadalë.
Zonat e lira ekonomike janë territore ekstradoganore, ku investitorëve u ofrohet tokë me çmim të lirë dhe shërbime publike cilësore si furnizimin i rregullt me ujë e drita. Në këto territore bizneset mund t’i kryejnë aktivitetet pa qenë nën presionin e kontrolleve tatimore, duke përfituar në këtë mënyrë lehtësi administrative. Zonat e lira ekonomike lindën në Kinën e shekullit të 19, si pika të tregtisë ndërkombëtare, ndërsa sot konsiderohen si faktorët më të rëndësishëm që sollën zhvillimin e manifakturës në disa vende të Azisë gjatë tre dekadave të fundit. Shumë besojnë se Shqipëria i ka kushtet të kthehet në një pikë transiti për tregtinë ndërkombëtare mes Azisë dhe Europës. Në të gjithë Mesdheun ka duzina porte që kryejnë funksionet e zonave të lira ekonomike. Avantazhi i kryerjes së aktiviteteve prodhuese në këto zona qëndron në faktin që kompanitë nuk u nënshtrohen procedurave doganore gjatë importit apo eksportit. Zonat e lira ekonomike për pasojë rrethohen me mure të larta, me qëllim që të shmanget trafikimi i mallrave kontrabandë.
Projektet
Qeveria nënshkroi kontratën e parë koncesionare, një hapësirë prej 61 hektarësh, e gjitha e regjistruar si pronë publike pranë qytetit të Koplikut në Shkodër, më 4 janar 2008. Që nga koha kur u dha koncesioni dy vjet më parë, nuk ka pasur asnjë zhvillim tjetër. Kjo zonë ekonomike duhej teorikisht të shërbente për aktivitetin e import-eksportit me Ballkanin e veriut. Po në të njëjtën kohë, një sipërfaqe prej 3.2 hektarësh në qytetin e Shëngjinit u dha me koncesion. Në shkurt 2008, një sipërfaqe prej 8.5 kilometrash katrorë u caktua për t’u dhënë me koncesion në Spitallë të Durrësit. Në qershor, 125 hektarë tokë u dhanë me koncesion në Vlorë. Koncesionmarrësit do të ushtrojnë pronësinë në këto toka për 35 vite.
Flitet që prej dy dekadash
Që pas rënies së komunizmit, ideja e funksionimit të Shqipërisë si një shtet transit për tregtinë ndërkombëtare qarkulloi me bollëk, por gjithçka mbeti në letër. Një ligj i posaçëm u miratua dhe ideja fillestare ishte që në vend të ndërtoheshin katër zona të lira: një në Vlorë, për të shfrytëzuar gjirin e Vlorës dhe me drejtim energjetikën; një në Elbasan, për të aksesuar më me lehtësi Korridorin 8, nën shembullin e Maqedonisë që ndau një sipërfaqe toke pranë Shkupit për ta bërë zonë të lirë; një në Durrës me drejtim industrinë e lehtë dhe atë të manifakturës, që sakaq është e zhvilluar në Shqipëri dhe një në Koplik për korridorin e veriut. Fillimisht qenë këshilltarët e huaj pranë qeverisë që këshilluan të mos krijoheshin zona të tilla për sa kohë qeveria nuk kishte kapacitete për të administruar territorin nga pikëpamja fiskale. Në atë kohë, qeveria ishte në gjendje të mblidhte taksa vetëm në qytetet kryesore të vendit.
Pas përfundimit të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin 2008, qeveria iu rikthye planit të zonave të lira, por duket se nuk ka ecur fort mirë në këtë drejtim. Koncesionet kanë qenë të shumta në të gjitha fushat në Shqipëri gjatë viteve të fundit, por kompanitë që i përfituan këto koncesione konsiderohen “juniors”, kompani të vogla, të cilat shpresojnë të zhvillojnë një aset para se ta ofrojnë te kompanitë më të mëdha. Deri tani, shumë pak koncesione u janë rishitur kompanive të mëdha.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›