E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen kreditë me probleme në banka

Statistikat
Rreth 3.1 miliardë lekë kredi u klasifikuan në ndjekje në nëntor

Kreditë nënstandarde, të dyshimta apo të humbura, u shtuan me 3.1 miliardë lekë (rreth 23 milionë euro) gjatë muajit nëntor në krahasim me tetorin, bëhet e ditur nga statistikat e raportuara prej Shoqatës së Bankave. Megjithatë, totali i kredive me probleme në raport me portofolin e kredive, u ul nga 10.09 për qind në 10.07 për qind, për shkak të rritjes së konsiderueshme të kredive të reja të dhëna gjatë këtij muaji.
Kriza ekonomike që mbërtheu botën dhe rrjedhimisht edhe Shqipërinë gjatë vitit 2009, solli rritje me ritme marramendëse të kredive të këqija. Në nëntor 2009, totali i kredive të këqija ishte 46.7 miliardë lekë. Këtu përfshihen kreditë në ndjekje, kreditë e dyshimta dhe kreditë e humbura. Këto nuk janë para të humbura për bankat, pasi në raste të tilla vihet në shitje kolaterali, gjë që u mundëson bankave rikuperimin e shumës së kredituar.
Por kjo statistikë dëshmon gjendjen e vështirë financiare të bizneseve dhe individëve. Sistemi bankar shqiptar është veçanërisht i ekspozuar nga sektori i ndërtimit, i cili është përgjegjës për një pjesë të konsiderueshme të kredive. Ky sektor gjatë vitit të fundit ka qenë më i godituri prej krizës, për shkak të rritjes së pasigurisë ekonomike mes shqiptarëve me të ardhura të mesme dhe bizneseve.
Kreditë e klasifikuara si “të humbura” u rritën me rreth 3 milionë euro gjatë muajit nëntor, ndërsa totali i tyre arriti në 96 milionë euro. Në nëntor 2008, kreditë e konsideruara të humbura qenë vetëm 40 milionë euro. Lajmi i mirë për bankat është se gjatë këtij muaji nuk pësoi rritje treguesi i kredive të vonuara lehtë. Në këtë grup përfshihen kredimarrësit që sapo kanë filluar të shfaqin probleme. Kriza ekonomike i ka shtyrë bankat të ofrojnë për klientët e vet riskedulim të kredive duke pranuar pezullimin e përkohshëm të shlyerjes së principalit. Në këto raste, klientëve u kërkohen të shlyejnë për disa muaj vetëm interesat mujore, deri sa gjendja e tyre financiare t’ia lejojë rifillimin e shlyerjes së kredisë në tërësi.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›