E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi, rishikim në grup kontratave me bankat

Shoqatat e biznesit ankohen për kostot e larta dhe mungesë konkurrence në treg
Kredia është kthyer në një barrë të rëndë për biznesin privat, aq sa mjafton të mos paguhen dy këste dhe situata precipiton drejt rrezikut të falimentit. Shumë biznese, të përfaqësuara nga shoqata të ndryshme, ankohen për këstet e larta dhe për mungesë transparence. Jo vetëm kaq, por problem madhor në ditët e fundit janë bërë komisionet e larta dhe kamatëvonesat, duke i vënë në vështirësi bizneset. Duke qenë se shqetësimi është i përgjithshëm, shoqatat e bizneseve dhe Dhoma e Tregtisë së Tiranës planifikojnë të nisin diskutimet me bankat për të rinegociuar kontratat. Të parët që e nisën këtë bashkëpunim ishin ndërtuesit, por pa rezultat. Ilir Hebovija, nënkryetar i shoqatës, thotë se “bankat nuk pranojnë të rinegociojnë kontratat me ndërtuesit, pasi këtë problem e kanë edhe sektorët e tjerë të ekonomisë. Pra, nuk qenka vetëm problem i yni, e në këto kushte bankat duhet të tregohen të kujdesshme nëse i thotë po një subjekti, pasi rrezikon të hapë “lojën” me të tjerët”. Për Gjergj Buxhukun, problemi real qëndron diku tjetër. “Qeveria u dha bankave një shans të mirë, duke i afruar 90 për qind të transaksioneve të biznesit, me anë të një vendimi. Si ‘shpërblim’ morëm rritjen e komisioneve. Shqetësimi është shumë serioz. Situata duhet ndryshuar”, thotë administratori i Konfindustrisë, Buxhuku.
Bankat dhe tregu
Deri në fund të muajit nëntor 2009, bankat kanë akorduar rreth 283 miliardë lekë ose 2.1 miliardë euro kredi për biznesin privat. Shifra e publikuar nga Shoqata e Bankave të Shqipërisë jep edhe të tjera të dhëna, si ajo e situatës me kredinë e pashlyer, e cila po prek majat negative. Prej dy vitesh, si bankat ashtu dhe biznese kanë pasur një raport jo shumë pozitiv. Edhe pse ushqejnë njëra-tjetrën me fitime falë interesit të përbashkët, të dyja palët nuk ndajnë të njëjtën pikëpamje sa u takon vështirësive në treg. Bankat thonë se biznesi është mësuar të marrë kredi pa shumë vështirësi, por tashmë kohët kanë ndryshuar, si rezultat i krizës. Kurse biznesi e akuzon për përfitime të padrejta në kurriz të mungesës së transparencës. “Në qershor 2009, ne si shoqatë lidhëm një marrëveshje me bankat, që si fillim parashikonte krijimin e një grupi pune, që do të identifikonte problemet dhe daljen nga kriza. Në fakt, deri atëherë asgjë nuk është bërë konkretisht, përveç disa takimeve pa shumë vlerë. Tani shikojmë të gjejmë rrugëdalje tjetër, duke nisur negociatat për kontratat”, thotë Hebovija. “Këstet e kredive janë bërë të përballueshme për disa kategori biznesesh, ndikuar edhe nga kriza ekonomike. Kjo situatë duhet të ndryshojë, qoftë me ndërhyrjen e qeverisë me stimulime”, thotë me shqetësim kreu i Dhomës së Tregtisë, Tiranë, Nikolin Jaka. Ndërsa për Konfindustrinë, qeveria dhe Banka e Shqipërisë duhet të rishikojnë disa sjellje jo të drejta të bankave. “Gjykoj se kemi një sjellje oligopol të bankave. Nuk ka konkurrencë në treg, edhe pse kemi 16 banka. Interesat e kredive janë pothuajse të njëjta, ashtu edhe komisionet për veprimet bankare. Këto shqetësime ia kemi përcjellë edhe Bankës së Shqipërisë, e cila ka rolin kryesor për zgjidhjen e disa problemeve”, thekson Gjergj Buxhuku.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›