Një dramë dhune në ditën e Flamurit
Alma Mile
Ai është i moshuar tashmë, por grushtin e ka ende të fortë. Kur i bie tavolinës, askush nuk mundet ta shohë në sy. Ai është patriarku, atij duhet t'i binden të gjithë. Në të kundërt dhuna është mjeti më i mirë për të "shtruar" të pabindurit. "Fërshëllimë në errësirë", quhet drama me autor Tom Murphy dhe regji të Spiro Dunit, e cila pritet të ngjitet në ditën e Flamurit, 28 nëntor, në skenën e Teatrit Kombëtar, si e para premierë e këtij sezoni. Pas "Trojanëve", e destinuar për në Teatrin e Butrintit dhe sprovave të regjisorëve të rinj, në ambientet e TK-së kanë nisur provat për vënien në skenë të veprës më të njohur të Murphy-t. Për shkak të një marrëdhënieje të nderë mes TK-së dhe Ministrisë së Kulturës, ky institucion u bë shumë vonë me bord e si rrjedhim vetëm pak ditë më parë edhe me "kalendar".
"Fërshëllimë në errësirë" na çon në Irlandën e viteve '60, e cila fatkeqësisht, sipas regjisorit Duni, rezonon me Shqipërinë e sotshme. Ishte kohë emigrimesh atëherë dhe irlandezet zbrisnin në Angli. Shumë syresh kërkonin një jetë më të mirë dhe ulën kryet për të punuar, por kishte edhe nga ata, që kërkonin me çdo kusht të drejtonin, jo thjesht në familjen e tyre, por edhe mbi bashkëkombësit. Xhef Kalni, babai i 5 djemve është përfaqësues i kësaj "racës" kryeneçe, që si gjuhë dialogu njeh vetëm dhunën. Një figurë, e cila i ofrohet publikut shqiptar, përmes lojës së aktorit Reshat Arbana, i cili rikthehet në skenën e teatrit, pas dramës "Streha e të harruarve", me regji të Mihallaq Luarasit. Nëse atje interpretonte deri diku veten, si një aktor i brezit të tretë, këtë herë, duke i qëndruar deri diku moshës, luan rolin e babait arrogant, të dhunshëm, i cili gjeneron pasardhës po të dhunshëm. Reshat Arbana, i tha "Po" propozimit të regjisorit Spiro Duni, për të interpretuar këtë rol, në premierën e parë të Teatrit Kombëtar. Në pozicionin e njeriut që gjithë kohën hakërrehet, Arbanës i duhet që gjatë gjithë kohës të interpretojë në tonalitete të larta zëri. Ai thotë se kjo është vërtetë e vështirë dhe duke shfrytëzuar rastin tha, se është momenti që njerëzit të kthejnë sytë nga teatri, nga aktorët "që bëjnë një punë shumë të vështirë, por paguhen pak". Sipas tij, njerëzit kanë më shumë nevojë për artin se për çdo gjë tjetër, ndaj është e nevojshme që pushtetarët t'i shohin në sy, ose "të paktën të vijnë të na shohin". Sa i përket veprës, ai thotë se është një pjesë "tronditëse, siç e duan shqiptarët, të cilët janë të prirur o nga komedia, ose nga tragjedia. Janë si karakteret e irlandezëve që ne luajmë". Sipas regjisorit Spiro Duni, arsyeja pse mori përsipër të vërë në skenë këtë vepër është të tregojë se dhuna në familje dhe shoqëri është si rezultat i një trungu të sëmurë familjar. Në vepër do të demonstrohet dhunë fizike dhe psikologjike, madje edhe skena e realizuar nga Fatbardh Marku ka pamjen e një arene boksi. Kjo është edhe arsyeja që ai i ka kërkuar drejtorit të TK-së, që kjo vepër të jetë e ndaluar për nën 16-vjeçarët.
Skeda e dramës
Drama "Fërshëllimë në errësirë"
Autori: Tom Murphy
Regjia: Spiro Duni
Skenografia e kostume: Fatbardh Marku
As/regjisore: Flaura Kureta
Formulues muzike: Klement Marku
Përkthyes: Artur Lena
Interpretojnë
Reshat Arbana
Bujar Asqeriu
Naum Shundi
Dritan Boriçi
Sokol Angjeli
Saimir Sina
Roland Saro
Anila Bisha
Emigracion i dhunshëm irlandez
Një vepër mbi dhunën brenda familjes dhe emigracionin. Një sy që vështron sesi një familje duket në opinionin shoqëror dhe si funksionon brenda mureve të shtëpisë. Pamja e jashtme e familjes Kalni, e emigruar në Angli nga Irlanda, është ajo e familjes me unitet (babai dhe pesë djemtë), që do të dominojë mbi të gjithë komunitetin e emigrantëve bashkëkombës. Pamja brenda shtëpisë është krejt tjetër. Uniteti i shfaqur jashtë kthehet në konflikt të egër brenda (mes burrave të shtëpisë). Arkitekt i çdo gjëje agresive, patologjike, pra thellësisht negative është vetë babai i djemve. Ai prodhon dhunë. I ka rritur të bijtë nën frikën e dhunës dhe i nxit ata, që çdo qëllim në jetë ta arrijnë po me anë të saj. Edhe kur njëri prej djemve, i martuar me një angleze, kërkon të shkëputet nga ky trung, plas një konflikt i egër në familje.