Gjoba të larta për tejkalim shpejtësie në Shqipëri

Prishtinë, 5 gusht - Policia njofton të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët udhëtojnë në Shqipëri që, gjatë lëvizjes në akset rrugore të këtij shteti, duke u nisur edhe nga fluksi i rritur së tepërmi, të zbatojnë me përpikëri rregullat e qarkullimit rrugor, sidomos ato të kufizimit të shpejtësisë. Policia e Kosovës dhe Policia e Shqipërisë kërkojnë mirëkuptimin që të zbatohen me përpikëri rregullat e qarkullimit rrugor e sidomos shpejtësitë e lejuara të pasqyruara me sinjalistikën e vendosur sipas rregullave të Republikës së Shqipërisë.
Të gjitha akset janë të kontrolluara me radar statik dhe mobil dhe, në rast tejkalimi të shpejtësisë, policia bën me dije se do të zbatohet Neni 140 i Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, që parasheh për tejkalim shpejtësie deri në 10 km gjobë në lartësi 2000 (dy mijë ) lekë, të barasvlershme me 15 euro. Për tejkalim deri në 20 km gjoba është 4000 (katër mijë) lekë , ekuivalente me 30 euro, kurse për tejkalim shpejtësie mbi 20 km gjoba është 10000 (dhjetë mijë) lekë, përkatësisht 70 euro, si dhe marrja e patentë-shoferit e dërgimi i kundërvajtësit në gjykatë administrative.