E Diel, 1 Nëntor 2026

AKR: Diplomacia kosovare “e ngathët” për të penguar rezolutën serbe

Prishtinë, 6 gusht – Aleanca Kosova e Re e ka vlerësuar sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të mbahet në shtator, si aktivitetin më të rëndësishëm për Kosovën në dy vitet e fundit. Nënpresidenti i kësaj partie, Ibrahim Gashi, të enjten, në një konferencë për shtyp, ka deklaruar se "suksesi në parandalimin e rezolutës serbe do të krijonte një moment presioni te vendet e KS të OKB që nuk e kanë njohur Kosovën”.
Por, Gashi ka shprehur dozë pesimizmi në këtë rrafsh, duke e pasur parasysh atë që e ka vlerësuar ngathtësi diplomatike kosovare të kohës së fundit. “Me veprimet e saj indolente, diplomacia kosovare vazhdon të mbetet në pozicionin defensiv karshi diplomacisë serbe dhe kjo e rrit shqetësimin tonë dhe të opinionit të gjerë se a do te jemi në gjendje të parandalojmë kalimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të projektrezolutës serbe të sapodeponuar për Kosovën”, ka thënë ai.
AKR-ja u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që t’u mundësojnë të gjitha personaliteteve që demonstrojnë se kanë mundësi për të lobuar, të jenë aktivë në mjediset e OKB-së gjatë zhvillimit të sesionit të 65-të të OKB-së: të akreditohen, të kenë letra përfaqësimi. “Siç dihet, këtu duhet një koordinim, sepse të punosh me 192 shtete është një objektiv gjigant dhe i vështirë, edhe për shtetet e konsoliduara, pra në vigjilje dhe gjatë këtij sesioni Kosova duhet ta angazhojë të gjithë potencialin e brendshëm dhe miqtë që ka, që të punojnë me numrin e madh të delegacioneve pjesëmarrëse”, ka thënë Gashi.
Ai e ka këshilluar MPJ-në që veçanërisht tani të angazhojë njerëz më përgatitje të lartë profesionale dhe “të miratojë disa akte të shkruara falënderimi dhe mirënjohjeje për personalitetet, kryesisht të huaja, që do të angazhohen gjatë Sesionit të OKB dhe në lobimin për njohje”.
Nënpresidenti i AKR-së është shprehur se MPJ-ja nuk e ka thënë të vërtetën kur ka pohuar se ka strategji veprimi pas Mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai po ashtu ka thënë se moskapitalizimi i momentit  të krijuar pas GJND-së është i pafajshëm për diplomacinë kosovare.
“AKR-ja ndan shqetësimin e saj se diplomacia e Republikës së Kosovës po dëshmon një indolencë të pajustifikueshme në veprimet e saj për të kapitalizuar momentin e favorshëm që ka krijuar Mendimi këshillëdhënës i saposhpallur i GJND-së lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën ndërkombëtare”, ka theksuar Gashi. “Për më tepër, diplomacia kosovare po shfaq mungesë të një strategjie të qartë veprimi dhe deficit të madh në aktivitetet e saj lobuese”.
Nënpresidenti i AKR-së ka vlerësuar se diplomacia kosovare nuk ka punuar me shtetet që janë më afër marrjes së vendimit për njohje dhe "nga ato të merrej zotimi se do ta bënin njohjen në rast se mendimi do të ishte pozitiv". Gashi ka shprehur dëshpërimin e partisë së tij që krerët shtetërorë të Kosovës nuk i kanë ofruar Behgjet Pacollit një detyrë shtetërore për të lobuar për njohje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›