E Shtunë, 31 Tetor 2026

REZOLUTA, PE: Heqja e vizave në korrik 2010, të plotësohen të gjitha kushtet



Albert Gjoka

Shqipëria duhet të plotësojë të gjitha kushtet e përcaktuara në Udhërrëfyes në mënyrë që të hiqen vizat në korrik të vitit 2010. Kjo çështje është shtruar në rezolutën më të fundit të Parlamentit Europian, që pritet të miratohet ditën e nesërme. Komiteti i Çështjeve të Jashtme i PE-së miratoi mbrëmjen e së hënës draft-rezolutën, ku kërkohen nga Shqipëria dhe Bosnja që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të plotësuar të gjitha kushtet e Udhërrëfyesit dhe të punojnë me synimin për të arritur liberalizimin e vizave për qytetarët e tyre deri në korrik të vitit 2010.
Një tjetër çështje e përfshirë në draft-rezolutë është ajo që ka të bëjë me procedurat e marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE të vendit tonë. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe shteti ligjor janë çështjet e parashtruara në një prej neneve të rezolutës, që i adresohen Tiranës zyrtare, në mënyrë që të përshpejtohet puna për të marrë statusin zyrtar të vendit kandidat.
Drafti i përgatitur nga disa eurodeputetë shtron propozime edhe për situatën paszgjedhore, ku i kërkohet opozitës që të hyjë në Parlament.
Drafti në Komitet
Shqipëria duhet të plotësojë kushtet sa më parë në mënyrë që në korrikun e vitit 2010 të përfitojë nga regjimi për heqjen e vizave me Bashkimin Europian. Apeli është bërë nga Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Europian. Ky institucion miratoi dy ditë më parë një rezolutë, me 58 vota pro, 8 kundër dhe 9 abstenime, e cila do të kalojë për votim në Parlament më 26 nëntor. Eurodeputetët kërkojnë nga autoritetet në Bosnjë-Hercegovinë dhe Shqipëri që të ndërmarrin hapa për të përmbushur të gjitha kriteret e duhura në mënyrë që të realizohet liberalizimi i vizave për qytetarët e tyre. Komisionit Europian i është kërkuar për të filluar dialogun për vizat edhe me autoritetet e Kosovës, "sa më shpejt të jetë e mundur".
Statusi i kandidatit
“Inkurajomë Shqipërinë që të vazhdojë përpjekjet e saj në rrugën e reformave, duke theksuar rëndësinë për forcimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për të garantuar sundimin e ligjit”, - thotë dokumenti që pritet të miratohet nesër. Sipas tij, vetëm duke ndërmarrë këto hapa, Këshilli do të jetë në gjendje që të procedojë me aplikimet brenda një kohe të shkurtër.
Në rezolutën e miratuar të hënën në mbrëmje në Komitetin për Çështjet me Jashtë të PE-së thuhet se vendet potenciale kandidate duhet të vazhdojë reformimin e të qëndrojnë në rrugën për anëtarësimin përfundimtar në BE. Çështje kyçe të tilla si rendi i ligjit, liria e shprehjes, trajtimi i pakicave etnike dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të trajtohen ende, thotë rezoluta e miratuar nga Komiteti i Punëve të Jashtme.
“Parlamenti Europian njeh progresin e bërë nga Shqipëria dhe Mali i Zi, i pasqyruar edhe në raportet e fundit të Progresit të Komisionit Europian dhe inkurajon të dyja vendet të vazhdojnë përpjekjet e tyre në rrugën e reformave. Parlamenti e mirëpriti vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së javën e kaluar për të ftuar Komisionin të përgatisë opinionin e vet mbi aplikimin e Shqipërisë”, - thuhet në draft-rezolutën që do të miratohet nesër nga eurodeputetët. Kërkesa e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat, e paraqitur gjatë presidencës çeke, u pranua nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm i BE-së dhe tashmë pritet që Komisioni Europian të përgatisë opinionin për këtë çështje.

Sot debati në Parlamentin Europian për Zgjerimin

Parlamenti Europian pritet të zhvillojë sot një debat për zgjerimin. Kryetari i Grupit të eurodeputetëve për çështjet e Zgjerimit, Lars Shmid, pritet të shtrojë një sërë çështjesh për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, në axhendën e bisedimeve është edhe paketa vjetore e Komisionit Europian për Zgjerimin, e prezantuar ditën e publikimit të raporteve të progresit të vendeve të rajonit. Deputetët e Parlamentit Europian do të diskutojnë edhe për ecurinë e secilit vend të Ballkanit dhe problemet që kanë aktualisht. Në fillim të dhjetorit Këshilli do të miratojë konkluzionet, duke reflektuar aspektet e vlerësimeve dhe rekomandimeve të paraqitura nga Komisioni Europian. Lars Shmid tha se ndoshta pritej një situatë më e mirë përsa i përket procesit të zgjerimit. Ai theksoi se shihen zhvillime pozitive sidomos në disa raste individuale, të cilat u konfirmuan edhe në raportin e Komisionit Europian. Shmid vlerësoi punën e bërë nga Maqedonia dhe Serbia, por nuk citoi asnjë detaj konkret në lidhje me punën e bërë nga qeveria shqiptare.

Këshilli i Ministrave pranon kërkesën e Shqipërisë, KE-ja të përgatisë opinionin

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian pranoi më 16 nëntor kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, duke i hapur rrugën Komisionit Europian që brenda një periudhe kohe të përgatisë opinionin e tij. Shefat e diplomacive të BE-së firmosën një marrëveshje për të cilën kishin rënë dakord javën e shkuar ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së. Tashmë vendimi i kalon Komisionit Europian, krahut ekzekutiv të Bashkimit Europian, që do të marrë në konsideratë kërkesën shqiptare dhe do të vlerësojë hapat e Shqipërisë. Tashmë qeveria shqiptare pritet të marrë një pyetësor me rreth 2000 pyetje nga Komisioni, ku do të kërkohen përgjigje për të gjitha reformat që kërkon procesi i integrimit. Vendi ynë dorëzoi kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Europian në muajin prill të vitit të kaluar, pak pas anëtarësimit në NATO dhe para zgjedhjeve të 28 qershorit. Fillimisht BE-ja tha se do të pritej rezultati i zgjedhjeve para se të merrej në shqyrtim kërkesa. Më pas u tha se kërkesa do të shqyrtohej brenda vjeshtës dhe ashtu sikurse u premtua, vendimi u mor në mes të nëntorit. Nëse Shqipëria merr statusin zyrtar të kandidatit, do t’i bashkohet Kroacisë, Turqisë dhe Maqedonisë, por do të përballet me një sërë testesh dhe sfidash gjatë këtyre viteve. Kroacia dhe Turqia e kanë nisur këtë proces në 2005-n dhe ende nuk janë anëtarësuar.

25 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›